Vendimi për dinarin hyn në fuqi nesër, çka paralajmëroi Lajçak?

Në bazë të vendimit që e ka marrë Banka Qendrore, nga nesër ndalohet përdorimi i dinarit serb në pagesat me para të gatshme në vend.

Kjo temë u diskutua dje edhe nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryeministri Albin Kurti.

Pas takimit, Lajçak paralajmëroi se sot do të jepen më shumë informacione lidhur me këtë çështje nga ana e Qeverisë.

“Ne e përmendëm këtë çështje të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, por nuk dua të veproj si zëdhënës i Qeverisë kosovare, por ju do të njoftoheni nesër. Pra, ju do të mësoni më shumë rreth kësaj”, shtoi ai.

Ende nuk dihet se çka do të deklarojë kabineti i Kurtit, por dihet se ditë më parë ky i fundit ishte takuar me ambasadorët e QUINT-it, dhe u kishte thënë se është e rëndësishme që të respektohet kushtetuta dhe ligjshmëria në vend dhe gjithashtu që të respektohen autoritetet e pavarura në vend sikurse BQK.

“Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ajo rreth Rregullores së Bankës Qendrore që pritet hyjë në fuqi nga 1 shkurti, me theks të veçantë të neni 35 i saj i cili përcakton se valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme sipas nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.

“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

Ndryshe, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ditë më parë ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.

Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është Euro.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në rregullore.

Ndërkaq, sa i përket valutave tjera, BQK ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Duke e përmendur Euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj.

Kundër vendimit ka dalë Bashkimi Evropian dhe Departamenti amerikan i Shtetit. /GazetaSinjali/

Read Previous

Përse Chelsea refuzoi ofertën e Wolves për transferimin e Armando Brojës?

Read Next

Shqipëri/ SPAK sekuestron pasuritë me vlerë 1 milion Euro të ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri