Vedat ​Muriqi afër rikthimit te Fenerbahce, zbulohen detajet e marrëveshjes

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, mund të rikthehet te Fenerbahçe gjatë afatit kalimtar veror, sipas raportimeve të mediave turke.

Gazeta turke “Fotomaç” ka raportuar se klubi nga Stambolli ka arritur marrëveshje me Majorkan për transferimin e sulmuesit kosovar. Sipas këtij mediumi, marrëveshja pritet të kushtojë rreth 15 milionë euro, ndërsa Muriqi mund të udhëtojë së shpejti drejt Stambollit për të finalizuar transferimin.

Raportimet e fundit nga Turqia dhe Spanja bëjnë të ditur se rikthimi i 32-vjeçarit është një nga prioritetet e drejtuesve të rinj të Fenerbahçes. Gjithashtu është raportuar se sulmuesi ka arritur marrëveshje personale për një kontratë afatgjatë, ndërsa mbetet vetëm finalizimi i detajeve mes dy klubeve.

Muriqi ishte pjesë e Fenerbahçes në sezonin 2019/20, ku realizoi 17 gola në 36 ndeshje para se të transferohej te Lazio. Pas aventurës në Itali, ai u bë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Majorkas, ndërsa sezonin e fundit shënoi 23 gola dhe tërhoqi sërish interesimin e klubit turk.

Deri më tani, as Fenerbahçe dhe as Majorka nuk kanë bërë zyrtar transferimin e sulmuesit kosovar. /KosovaPress/

Read Previous

27 vjet nga ndalja e bombardimeve të NATO-s

Read Next

Pas 18 vjetësh, pacientja rifiton dëgjimin në QKUK