Vance: Jemi në mes të një situate komplekse me Iranin

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka deklaruar se Uashingtoni ndodhet në mes të një procesi të ndërlikuar në raport me Iranin, duke e cilësuar rrugën drejt përfundimit të konfliktit si të vështirë dhe me shumë pengesa.

Në një intervistë, Vance tha se është i gatshëm të marrë përgjegjësi për përpjekjet që synojnë arritjen e një zgjidhjeje pozitive të luftës.

“Nëse duan që unë të marr përgjegjësinë për përpjekjet për ta çuar këtë luftë drejt një përfundimi pozitiv, jam i gatshëm ta bëj këtë”, u shpreh ai.

Sipas Vance, negociatat nuk zhvillohen në mënyrë lineare, por kalojnë nëpër faza të ndryshme.

“Ndonjëherë bëjmë një hap përpara, dy prapa, pastaj tre përpara dhe një prapa. Është e kuptueshme që qytetarët amerikanë mund të mendojnë se po bëhet përparim, e më pas të krijohet përshtypja se nuk po ndodh ashtu”, tha ai.

Zëvendëspresidenti amerikan e përshkroi procesin si veçanërisht të ndërlikuar, duke theksuar se brenda sistemit politik iranian ekzistojnë qëndrime të ndryshme.

“Sistemi i tyre është i fragmentuar. Ka njerëz që duan t’i japin fund luftës, por ka edhe elementë ekstremistë që duan vazhdimin e saj”, deklaroi Vance.

Ai shtoi se detyra e administratës amerikane është të veprojë në këtë situatë komplekse për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm për popullin amerikan dhe për Shtetet e Bashkuara. /RTKlive

Read Previous

Policia e Kosovës: 136 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, shqiptohen 2750 gjoba

Read Next

Bien çmimet e derivateve, nafta dhe benzina më lirë për 5 centë