Uragani Lala godet Hawaiin me erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm

Erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm kanë goditur Hawaiin, pasi uragani Lala i kategorisë së parë kaloi pranë Ishullit të Madh.

Guvernatori Josh Green ka bërë të ditur se një person ka humbur jetën në një aksident trafiku të lidhur me kushtet e motit, shkruan BBC.

Uragani është forcuar, me erëra që kanë arritur deri në 91 milje në orë, ndërsa pritet të sjellë deri në 63 centimetra reshje dhe valë stuhie deri në 90 centimetra.

Mbi 100 mijë konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për kushte kërcënuese për jetën, përfshirë përmbytje dhe rrëshqitje dheu.

Lala nuk ka arritur drejtpërdrejt në tokë, por ka kaluar rreth 48 kilometra larg South Point në Ishullin e Madh.

Shumë rrugë janë përmbytur ose bllokuar nga pemët e rrëzuara, ndërsa dhjetëra lokacione janë inspektuar nga ekipet e emergjencës.

Probleme të mëdha janë regjistruar edhe në trafikun ajror. Sipas guvernatorit, 190 fluturime janë shtyrë, ndërsa një pjesë e madhe e fluturimeve në aeroportet Kona dhe Hilo janë anuluar.

Tre spitale kanë mbetur pa energji elektrike, por po funksionojnë me gjeneratorë rezervë.

Autoritetet kanë hapur strehimore publike dhe u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet në rrugë.

Uragani Lala pritet të vazhdojë lëvizjen drejt perëndimit, në jug të ishujve të Hawaiit.

Read Previous

Barcelona tërhiqet nga Luis Suárez, klauzola prej 80 milionë eurosh konsiderohet shumë e lartë

Read Next

Mungoi ndaj Man Unitedit dhe u përfol për konflikt me Amorimin, Leao sqaron gjithçka