Roberto Mancini është rikthyer zyrtarisht në krye të Kombëtares së Italisë, pas javësh të trazuara në Federatën Italiane të Futbollit (FIGC). Megjithatë, emërimi i tij nuk është pritur mirë nga të gjithë brenda futbollit italian.
Vendimi u konfirmua të martën, pas një periudhe të paqëndrueshme në FIGC. Paolo Maldini, i emëruar drejtor teknik më 12 korrik, dha dorëheqjen vetëm 17 ditë më vonë, pasi dështoi të siguronte një trajner të ri. Fillimisht ai tentoi të bindte Carlo Ancelottin dhe Pep Guardiolën, ndërsa më pas synoi Andrea Pirlon, por emërimi i këtij të fundit u bllokua për shkak të lidhjeve të tij me një kompani ruse bastesh.
Pas largimit të Maldinit, Claudio Ranieri mori drejtimin si drejtor teknik, ndërsa Mancini u rikthye në postin e selektorit.
Sipas Gazzetta dello Sport, rikthimi i Mancinit ka hasur në kundërshtime për tri arsye kryesore.

E para lidhet me faktin se presidenti i FIGC-së, Giovanni Malago, pati fjalën vendimtare në emërimin e tij, ndërsa të dy njihen për marrëdhënien e tyre të ngushtë personale.
Arsyeja e dytë është se një pjesë e drejtuesve të Lega Serie A besonin se Italia duhej të zgjidhte një alternativë tjetër, me Antonio Conten që konsiderohej kandidati ideal për t’u rikthyer në stolin e “Azzurrëve”.
Së fundi, shumë persona nuk e kanë harruar mënyrën se si Mancini u largua nga kombëtarja në vitin 2023.

Ai dha dorëheqje vetëm pak javë para ndeshjeve vendimtare të kualifikueseve për Euro 2024 për të marrë drejtimin e Kombëtares së Arabisë Saudite, ku përfitonte rreth 20 milionë euro në sezon.
Dorëheqjen e kishte paraqitur nga distanca, teksa ndodhej me pushime në ishullin grek të Mykonosit, ndërsa me vete mori edhe 10 anëtarë të stafit teknik të Italisë.
Megjithatë, raporti thekson se largimi i Mancinit nuk kishte vetëm motive financiare. Para dorëheqjes, ai kishte humbur disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në stafin teknik, çka ndikoi gjithashtu në vendimin e tij./Telegrafi/