Tirana, kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut

Tirana ka nisur përgatitjet për vitin 2025 që do mbajë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”. Kryebashkiaku, Erion Veliaj priti një delegacion të përfaqësuesve nga Unioni për Mesdheun dhe Anna Lindh Foundation ku u diskutua mbi detajet e organizimit të aktiviteteve.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: Kemi filluar përgatitjet për vitin 2025 ku Tirana do të jetë bashkë me Aleksandrinë kryeqytetet mesdhetare të kulturës dhe të dialogut kështu që ne mezi po presim. Kemi pas një eksperiencë fantastike me reputacionin e Tiranës për kryeqytetin e Sportit, kryeqytetin e Rinisë. Këtë vit ne drejtojmë B-40, që është rrjeti më i madh i bashkive në Ballkan, dhe vitin tjetër do të jemi së bashku, me shpresë edhe me Konventën e Madhe të të gjithë rrjetit të fondacioneve ‘Anna Lindh’. Jam vërtet mirënjohës që i keni besuar Tiranës këtë titull. Do bëjmë maksimumin.

Ndërsa Drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Anna Lindh”, u shpreh se Tirana ka shumë për të ofruar edhe për evente të tilla.

Josep Ferré, drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Anna Lindh”: Është e rëndësishme të nënvizojmë konsensusin e arritur mes 43 vendeve që përbëjnë hapësirën e grupit që promovon marrëdhëniet mes qyteteve europiane të Mesdheut. Shqipëria dhe Tirana kanë shumë gjëra për të ofruar.

Në Nëntor të 2023, Tirana dhe Aleksandria u shpallën dy Kryeqytetet e para të Kulturës dhe Dialogut, dhe do ta mbajnë këtë titull përgjatë vitit 2025./Klan News

Read Previous

Borrell thirrje Izraelit të heqë dorë nga ofensiva në Rafah

Read Next

Demonstrata në 50 qytete të Francës kundër transfobisë