Thirrja e Papa Leonit XIV për ndaljen e gjakderdhjes: Ukraina dhe Rusia të lëshojnë pe, lufta të ndalet

Papa Leoni XIV u ka bërë thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe lëshime, me qëllim arritjen e paqes pas më shumë se katër vjetësh luftë.

Thirrjen e bëri gjatë një fjalimi të rëndësishëm për Evropën, në ditën e fundit të vizitës së tij zyrtare në Francë.

Para një audience të madhe, Papa nuk përcaktoi se cilat lëshime konkrete do të duhej të bëheshin nga Kievi apo Moska, por theksoi nevojën që palët të jenë të gatshme për kompromis.

Gjatë qëndrimit në Francë, Leoni XIV u takua me presidentin francez Emmanuel Macron, udhëhoqi një meshë masive në qendër të Parisit dhe bëri thirrje për më shumë dhembshuri ndaj migrantëve, raporton “Vatican News”, transmeton Sinjali.

Thirrja e Papës vjen në një periudhë kur forcat ruse po vazhdojnë sulmet intensive në Ukrainë, ndërsa përpjekjet e tyre për avancim janë përqendruar edhe në rajonin e Donetskut.

Pavarësisht më shumë se katër vjet e gjysmë luftë në shkallë të gjerë, ushtria ruse nuk ka arritur ta nënshtrojë Ukrainën.

“Selia e Shenjtë” ka shtuar përpjekjet diplomatike gjatë muajve të fundit, duke synuar të kontribuojë në ndalimin e luftimeve.

Në gusht, Papa Leoni XIV dërgoi në Moskë kryepeshkopin Paul Gallagher, shefin e diplomacisë së Vatikanit, ku ai zhvilloi takime me zyrtarë rusë, përfshirë ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov.

Ndërkohë, një tjetër emisar i Vatikanit pritet të udhëtojë drejt Rusisë gjatë kësaj jave.

Këto kontakte pasqyrojnë përpjekjet e “Selisë së Shenjtë” për të marrë një rol më aktiv në ndërmjetësimin lidhur me luftën në Ukrainë, në një kohë kur diplomacia evropiane ka kufizuar kontaktet e drejtpërdrejta me Moskën.

/GazetaSinjali/

Read Previous

TikToku gjobitet me 12.7 milionë funte në Britani për përdorim nga fëmijët nën 13 vjeç

Read Next

BE-ja përgatit plan të ri për zgjerimin, Shqipëria dhe Mali i Zi në mesin e 4 vendeve më të avancuara