“The Odyssey” s’e paguan dëmin për anijen

Pronarët suedezë të kopjes së anijes vikinge, e cila shfaqet në filmin hollivudian  “The Odyssey”, kanë thënë se ndihen të “harruar”, pasi producentët e filmit dyshohet se ua kthyen anijen të dëmtuar dhe nuk paguan shpenzimet e riparimit. Për gati tri dekada në det, anija luftarake “Glad av Gillberga” – e ndërtuar sipas modelit të një anijeje të fundosur rreth vitit 1040, e zbuluar në fjordin Roskilde të Danimarkës – ka lundruar me sukses në Detin e Veriut, Detin Baltik dhe madje ka udhëtuar deri në Kanada.

Por pas gjashtë muajsh në përdorim nga kompania “Universal”, e cila sipas pronarëve kishte premtuar se do të mbulonte çdo shpenzim riparimi, anija u kthye me dëmtime të konsiderueshme, përfshirë pjesën e pasme dhe direkun.

“Vikingaleden”, një qendër jofitimprurëse vikinge në rajonin e Värmlandit, në perëndim të Suedisë, ka thënë se pasi i dërgoi “Universalit” faturën për materialet e përdorura në riparimin e anijes – pa llogaritur punën vullnetare të anëtarëve – nuk mori asnjë pagesë.

Një vit më vonë, ndërsa filmi epik i Christopher Nolan, me aktorët Matt Damon, Tom Holland, Anne Hathaway dhe Zendaya, po korr sukses të madh në kinematë botërore, duke arkëtuar 264 milionë dollarë vetëm gjatë fundjavës së parë, shoqata ka thënë se ende pret pagesën prej 6 mijë dollarësh.

Peter Olausson, kryetar i shoqatës “Vikingaleden”, ka thënë se megjithëse ndihet krenar që anija e tyre u shfaq në film, kjo krenari është zbehur nga ndjenja e padrejtësisë për shkak të dështimit të pretenduar të kompanisë për të mbuluar dëmet./koha

Read Previous

Guardiola refuzon mundësinë që të bëhet përzgjedhës i Italisë

Read Next

ASK: Prodhimet bimore në Kosovë u shtrenjtuan 10 për qind më shumë se vjet