Tetë marrëveshje ndërkombëtare ratifikohen në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicë votash tetë marrëveshje ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me arsimin e lartë, sektorin financiar, energjinë dhe infrastrukturën.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan në favor të Marrëveshjes për qasje në arsimin e lartë në Ballkanin Perëndimor, e cila ishte nënshkruar më 14 tetor 2024 në Berlin.

Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, theksoi se kjo marrëveshje synon të krijojë një hapësirë më funksionale të arsimit të lartë, duke lehtësuar pranimin e studentëve dhe duke afruar standardet akademike mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës aprovuan edhe amendamentet e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian për programet IPA 2017 dhe IPA 2018.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se përmes këtyre ndryshimeve zgjatet afati për zbatimin e projekteve deri në vitin 2029, pas kërkesës së Zyrës së BE-së.

Kuvendi i Kosovës ratifikoi edhe Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.

Gjithashtu, deputetët dhanë “dritën e gjelbër” edhe për Marrëveshjen me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike dhe për projektin “Impianti për Ujërat e Zeza” në Podujevë.

Në këtë seancë kaluan edhe Marrëveshja e Kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” me Fondin Saudit për Zhvillim dhe ajo me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e sektorit financiar të Kosovës.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë të votoheshin edhe tri marrëveshje të tjera ndërkombëtare, por mospjesëmarrja e LDK-së e pamundësoi kuorumin e nevojshëm. /Albanianpost.com


​Kuvendi miraton komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e bordit të RTK-së dhe KPM-së

Kuvendi i Kosovës ka formuar komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë anëtarë të komunitetit shqiptar, një anëtar nga komuniteti serb, si dhe një anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës.

Ky komision do të kryesohet nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ndërkaq anëtarë do të jenë edhe deputetët e kësaj partie, Alban Bajrami, Arbëreshë Kryeziu, Fitim Haziri dhe Nezir Kraki. Ndërkaq nga PDK-ja anëtarë do të jenë Ganimete Musliu dhe Ariana Musliu-Shoshi, nga LDK deputeti Armend Zemaj, kurse nga AAK Time Kadrijaj.

Kuvendi në seancën e sotme formoi edhe dy komisione ad-hoc, fillimisht për një anëtar të Komisionit të Pavarur për Media, e më pas për tre anëtarë nga radhët e komunitetit shqiptar si dhe për dy anëtarë jo shumicë, po ashtu në Komisionin e Pavarur për Media.

Krahas kësaj, deputetët miratuan buxhetin e komunës së Zubin Potokut për vitin 2026, si dhe formuan komisionin ad-hoc për hartimin e Projektligjit për parandalimin e vetëvrasjes.

Pas miratimit të këtyre pikave, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu mbylli punimet e seancës së sotme plenare. /KosovaPress/

Read Previous

“Handikos” në Gjakovë shënon Ditën e Autizmit me aktivitetin “Dyert e hapura”

Read Next

​SpaceX i Elon Musk gati të dalë në bursë me aksione prej 1 trilion dollarësh