Ten Hag: Nuk kemi lojtarët e duhur për të fituar

Erik ten Hag, trajneri i Manchester United, e di mirë se ai dhe skuadra kanë përfunduar në shënjestrën e opinionit sportiv në Angli për mungesën e rezultateve në këtë sezon.

Megjithatë, holandezi në një intervistë për “Sky Sports UK”, thekson se për të fituar të gjitha ndeshjet duhet që të ketë në dispozicion lojtarët e duhur.

Ten Hag zbuloi se United dështoi të transferonte Harry Kane dhe përfundoi duke nënshkruar me Rasmus Hojlund, për të cilin gjithsesi ka komplimente.

“E dimë shumë mirë se tek United duhet fituar çdo ndeshje, kjo është pritshmëria e tifozëve. Por, për fat të keq nuk mund t’i kënaqim gjithmonë ata sepse për ta bërë këtë duhet që të kemi në dispozicion lojtarët e duhur. Në dekadën e fundit dhe sidomos në këtë periudhë nuk ia kemi dalë të kemi gjithmonë lojtarët që kemi dëshiruar.

Harry Kane ka qenë një nga ata emrat me të cilët kemi dashur të firmosim, por nuk ia dolëm në fund. Kaluam më pas te Hojlund që është një lojtar shumë i talentuar. Me Kane në skuadër dihet që ke 30 apo më shumë gola në llogari, edhe Hojlund mund të arrijë në këto shifra, por kërkon kohë.

Nuk dua të bëj krahasime mes lojtarëve sidomos mes Kane dhe Hojlund sepse janë të ndryshëm. Jemi të kënaqur me Hojlund që gjithsesi i duhet edhe pak kohë për t’u përshtatur, jemi të lumtur me kapacitetin e tij për të shënuar gola”, u shpreh Ten Hag./ h.ll/abcnews.al

Read Previous

Ulutas: KFOR-i i përkushtuar të parandalojë çdo rrezik të përshkallëzimit

Read Next

Biden do të presë Mbretin Abdullah II të Jordanisë javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë