Sezoni i Milanit nisi shumë keq në Serie A, si nga pikëpamja e rezultateve, ashtu edhe e organizimit mbrojtës. Në faqet e “Gazzetta dello Sport”, ish-mbrojtësi Mauro Tassotti foli për brishtësinë në prapavijë të skuadrës së Fonseca dhe se çfarë duhet bërë për t’u përmirësuar.
Ish-mbrojtësi i kuqezinjve ka ide të qarta: “Për të rregulluar mbrojtjen duhet të vazhdohet hap pas hapi. Për momentin, Milani është duke luftuar për të vënë në praktikë futbollin agresiv dhe dominues. Prandaj, momenti kërkon diçka tjetër.
Trajnerit i duhet kohë për t’i futur idetë e tij të lojës në kokën e lojtarëve. Tani duhet të jemi më të kujdesshëm, është momenti të implementohen në plotësinë e tyre idetë e trajnerit. Ky Milan nuk është në gjendje ta bëjë këtë, ndoshta pas 20 ditësh po”.
Siç e dinë praktikisht të gjithë, edhe për “Tasso”, ka pak ekuilibër te Milani aktual, skuadra ndahet në dysh dhe më pas pëson gola. Megjithatë, ka disa rrethana lehtësuese ndaj trajnerit Fonseca: “Besoj se duam të mbrohemi më shumë në krahasim me sezonin e kaluar në duelet një kundër një.
Nuk e di se sa kohë iu desh trajnerit të punonte për këtë. Pavlovic dhe Emerson mbërritën më vonë, gjërat në futboll nuk ndodhin me shkop magjik. Kuptimi dhe përsosja e lëvizjeve nuk arrihet duke kryqëzuar gishtat, kërkohet kohë dhe aplikim”.
Ish-mbrojtësi i kuqezinjve e mbyll më pas me një thirrje për vëmendje dhe sakrificë të përgjithshme: “Milani duhet të mbrohet si skuadër. Nëse dëshiron të ketë qasje sulmuese, ka nevojë që vetë lojtarët sulmues të ndihmojnë në fazën mbrojtëse. Dhe nuk po flas vetëm për Leaon. Në futbollin modern, 11 lojtarë mbrojnë dhe sulmojnë. Mbrojtësit aktualë nuk janë në gjendje të mbrojnë në kushte të barabarta nëse nuk janë kohezivë me grupin, nevojitet ndihma e të gjithëve”. /Telesport.al/