Tahiri kërkon urgjentisht të mblidhet Kuvendi i Kosovës: Të ketë një rezolutë

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit të Kosovës, një javë pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Tahiri ka thënë se heshtja dhe kalkulimi politik nuk duhet të jenë politikë ditore, duke kërkuar që Kuvendi të dalë me një qëndrim politik, institucional apo shtetëror lidhur me aktgjykimin.

Sipas tij, Kuvendi tash e një javë nuk ka miratuar asnjë qëndrim apo rezolutë për vendimin e Speciales, për të cilin ai thotë se përmban çështje problematike që duhet të adresohen.

“Ky Kuvend, tash e një javë, ende nuk ka një qëndrim politik, institucional, shtetëror, një rezolutë që e dënon dhe që thërret për drejtësi dhe që në përmbajtje adreson çështje që për ne janë shumë problematike në atë vendim. Është urgjente që Kuvendi i Republikës së Kosovës të mblidhet, të ketë një qëndrim politik, të ketë një rezolutë, mos kurrgjë, për të drejtën dhe për historinë e këtij vendi”, ka deklaruar Tahiri në Facebook.

/GazetaSinjali/

Read Previous

‘‘Nëse dashuria për lirinë gjykohet, atëherë vetë historia do të dënohet’’, Altini ndan pjesë nga fjala e Jakup Krasniqit