Stano arsyeton vonesat nga Elektroseveri: Janë në pyetje disa teknikalitete

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka arsyetuar vonesën e kompanisë serbe Elektrosever për mos zbatimin e marrëveshjes për energjinë, të arritur në Bruksel në qershor të këtij viti, mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai në një përgjigje me shkrim për Albanian Post ka theksuar se “janë në pyetje disa teknikalitete”.

“Vonesat në zbatimin e udhërrëfyesit janë për shkak të aspekteve teknike, të cilat BE-ja u ka kërkuar palëve t’i adresojnë pa vonesë”, tha Stano në një përgjigje me shkrim për AP.

“Ne po punojmë me të gjitha palët e përfshira për të gjetur një mënyrë përpara për të kapërcyer vonesën aktuale në zbatim”.

Stano, ka treguar se BE-ja po ofron udhëzime se si të adresohen pyetjet e hapura, duke shtuar se “BE-ja po lehtëson dialogun ndërmjet palëve, nuk është arbitër”.

“Përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjeve të Energjisë dhe Udhërrëfyesit i takon palëve”.

Ai ka potencuar po ashtu se BE-ja po ndjek nga afër aktivitetet e të dyja palëve për Udhërrëfyesin e Energjisë në kapacitetin e saj si lehtësues dhe garantues i Marrëveshjeve të dialogut.

“KOST, KEDS dhe Elektrosever janë në komunikime të rregullta. Ata gjithashtu raportojnë rregullisht në BE dhe SHBA”, shtoi ai.

/Albanianpost.com

Read Previous

Jo për të gjithë është “parajsë”, raporti i OKB-së akuzon Zvicrën

Read Next

80 vite nga Epopeja e Kodrës së Kuqe, vendi ku rezistuan deri në vdekje tre luftëtarët shqiptarë