Sonda hapësinore Voyager 1 e NASA-s ka arritur një distancë prej një dite-dritë nga Toka, duke shënuar një tjetër moment historik në eksplorimin e hapësirës, gati 50 vjet pas nisjes së saj.
Sipas NASA-s, sonda e arriti këtë distancë të mërkurën dhe aktualisht ndodhet rreth 26 miliardë kilometra larg Tokës. Një ditë-dritë është distanca që përshkon drita brenda 24 orëve.
Kjo do të thotë se një mesazh i dërguar nga Toka drejt Voyager 1 i nevojitet një ditë për të arritur te sonda, ndërsa edhe përgjigjja e saj kërkon një ditë tjetër për t’u kthyer në Tokë.
Shkencëtarja e NASA-s, Tiffany Kataria, e ka cilësuar këtë arritje si një dëshmi të madhësisë së jashtëzakonshme të hapësirës. Ajo ka theksuar se Voyager 1 iu deshën gati 50 vjet për të arritur këtë distancë, ndërsa shumë sisteme planetare jashtë sistemit tonë diellor ndodhen të paktën disa vite-dritë larg.
Sipas NASA-s, sondës do t’i nevojiten rreth 18 mijë vjet për të përshkuar distancën prej një viti-dritë.
Voyager 1 dhe sonda e saj binjake Voyager 2 u nisën në vitin 1977 dhe janë të vetmet mjete hapësinore që kanë arritur hapësirën ndëryjore, përtej heliosferës së Diellit.
Për të kursyer energji, NASA ka çaktivizuar në distancë disa pajisje të Voyager 1, përfshirë kamerat. Megjithatë, sonda vazhdon të mbledhë të dhëna për fenomene të padukshme, si fushat magnetike, si dhe për gazrat, pluhurin dhe materialet e tjera që gjenden ndërmjet yjeve.
Të dyja sondat Voyager bartin edhe të ashtuquajturat “Golden Records”, disqe bakri të veshura me ar, me diametër 30 centimetra, të cilat përmbajnë informacione që synojnë të paraqesin historinë dhe jetën në Tokë për çdo qytetërim jashtëtokësor që mund t’i gjejë.
Ndërkohë, Voyager 2 pritet të arrijë distancën prej një dite-dritë nga Toka në vitin 2035. /RTKlive