Situata e brishtë në veri, Kurti shtyn pjesëmarrjen në konferencën për siguri në Bratisllavë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shtyrë pjesëmarrjen e tij në konferencën për sigurinë globale, Globsec që po mbahet në Bratisllavë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë për Telegrafin, se për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja e kryeministrit Kurti.

“Ka qenë e planifikuar që të shkojë. Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo”, tha Kryeziu.

Kryeministri Kurti kishte paralajmëruar paraprakisht se do të merrte pjesë në një panel të martën pasdite me me temën: “E shkrirë – Ballkani Perëndimor dhe rruga drejt BE”-së.

Në këtë konferencë në Bratisllavë, Kurti e Vuçiq kanë qenë të ftuar.

Si rezultat i situatës në veri është përmendur Bratisllava si vend i mundshëm për një takim mes Kurtit e Vuçiqit.Reklama

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka njoftuar përmes Instagramit se nuk do të shkojë në Bratisllavë, për shkak se “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.

Më 29 maj, protestuesit serbë në Zveçan u përleshën me trupat e misionit të KFOR-it. Ky mision tha se tre ushtarë janë plagosur nga armët e zjarrit, ndërkaq edhe 27 të tjerë kanë pësuar lëndime të ndryshme. 

/Telegrafi/

Read Previous

10 mijë punëtorë të regjistruar në platformën ‘Super Puna’

Read Next

Shqipëria, Gjermania dhe Zvicra me numrin më të madh të vizitorëve gjatë muajit prill në Kosovë