Aksidentohet një kamion me një veturë në Gjakovë, lëndohet një person
Në vendim thuhet se nëse ai arrin që brenda 10 ditëve të depozitojë një garanci 175 milion Dollarë pasuria nuk do të sekuestrohet
Gjykata e Apelit në Nju Jork vendosi të shtyjë ekzekutimin e vendimit të gjobës prej 454 milionë Dollarësh ndaj ish-presidentit Donald Trump, nëse ai arrin të depozitojë një garanci prej 175 milionë Dollarësh brenda 10 ditëve.
Nëse garancia depozitohet, kjo do të pezullojë procesin e ekzekutimit të vendimit dhe do t’ia ndalojë Nju Jorkut sekuestrimin e pasurive të kandidatit për president. Gjykata vendosi gjithashtu të rrëzojë masën e dhënë nga gjykatësi i shkallës së parë që ua ndalonte për shtatë vjet Trump dhe djemve të tij, Eric Trump dhe Donald Trump Jr., drejtimin e bizneseve në Nju Jork.
Vendimi i gjykatës së Apelit është një fitore për ish-presidentin, ndërsa ai mbron perandorinë e tij të pasurive të patundshme, që e ndihmoi të hyjë në jetën publike amerikane dhe u dha pak përpara afatit kur prokurorja e Nju Jorkut, Letitia James, pritej të fillonte procesin e ekzekutimit të gjobës.
Ish-presidenti Trump, i cili po ndiqte një tjetër seancë gjyqësore po në Nju Jork për një padi penale për pagesën e bërë për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, deklaroi se do ta respektojë vendimin e gjykatës së shkallës së dytë dhe se do të paraqesë me shpejtësi garancinë e kërkuar prej 175 milionë Dollarësh, brenda afatit të caktuar.
Në komentet e tij, Trump akuzoi qeverinë për përdorimin politik të Departamentit të Drejtësisë dhe i quajti qesharake të gjitha çështjet gjyqësore të hapura ndaj tij.
“Donald Trump ende përballet me llogaridhënien për mashtrimin e tij flagrant. Gjykata tashmë e ka dënuar atë për mashtrime të bëra ndër vite për të fryrë artificialisht vlerën e pronave të tij dhe për t’u pasuruar padrejtësisht ai vetë, familja e tij dhe organizata e tij”, thuhet në deklaratën e zyrës së prokurores.
Nga ana tjetër gjykimi i çështjes së ish-yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels është caktuar në 15 Prill lidhur me akuzat për pagesa parash për të siguruar heshtjen e saj.
“Kjo është një gjueti shtrigash. Kjo është një mashtrim,” u tha Trump gazetarëve jashtë sallës së gjyqit.
Avokatët e Trump argumentojnë se pagesa nuk është bërë për të mirën e fushatës së tij politike, por për të kursyer problemet në familje pasi në atë kohë gruaja e tij Melania ishte shtatzënë me djalin e tyre Barron në kohën kur ndodhi afera.
Trump ka mohuar si lidhjen ashtu edhe pagesën, por në vitin 2018, avokati i tij i atëhershëm Michael Cohen u deklarua fajtor për shkeljet e financimit të fushatës federale për kryerjen e pagesës në emër të Trump. /tvklan.al