Shqipëria do të kërkojë të shmangë një seri historike humbjesh, teksa këtë të shtunë nis aventurën në Ligën e Kombeve përballë Bjellorusisë.
Kuqezinjtë vijnë në këtë përballje pas pesë humbjeve radhazi, seri që u zgjat pas disfatës në miqësoren ndaj Luksemburgut në qershor.
Një tjetër humbje do të sillte përsëritjen e serisë më negative të Kombëtares që prej vitit 1997. Situata është edhe më shqetësuese për shkak të problemeve në sulm.
Shqipëria nuk ka arritur të shënojë në katër nga pesë ndeshjet e fundit, ndërsa trajneri Rolando Maran pret të festojë golin e parë në drejtimin e Kombëtares, pas dy humbjeve në dy ndeshjet e tij të para. Kuqezinjtë synojnë rikthimin në Ligën B, por presioni është i madh.
Në Tiranë, Shqipëria ka humbur tre ndeshjet e fundit pa shënuar, ndërsa përballë do të ketë një Bjellorusi që vjen në një moment krejt tjetër.
Edhe pse renditet 29 vende më poshtë se Shqipëria në klasifikimin e FIFA-s, Bjellorusia ka gjashtë ndeshje radhazi pa humbje, me tre fitore dhe tre barazime.
Katër prej këtyre takimeve janë zhvilluar nën drejtimin e trajnerit Viktor Gonsharenko, me tre fitore dhe një barazim.
Bjellorusia kërkon të vazhdojë këtë ecuri pozitive dhe të synojë ngjitjen nga Liga C, megjithëse mbrojtja mbetet një pikë e dobët. Në 12 ndeshjet e fundit, skuadra ka mbajtur portën e paprekur vetëm në dy raste.
Bilanci direkt favorizon Shqipërinë. Kuqezinjtë kanë fituar tre nga katër përballjet e fundit me Bjellorusinë, ndërsa një tjetër është mbyllur në barazim.
Në tre prej këtyre ndeshjeve Shqipëria nuk ka pësuar gol, teksa përballja e fundit mes dy skuadrave u luajt në nëntor 2020 dhe përfundoi me fitoren 3-2 të Shqipërisë.
Përballja mes kuqezinjve dhe Bjellorusisë do të zhvillohet të shtunën duke nisur nga ora 20:45. /tvklan.al