Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Zjarret në Evropë dhe rajonin e Mesdheut kanë shënuar një përkeqësim të ndjeshëm gjatë vitit 2025, duke reflektuar një trend në rritje të rrezikut dhe intensitetit të tyre, sipas raportit të fundit të publikuar nga Qendra e Përbashkët e Kërkimit e Komisionit Evropian.
Raporti, i bazuar në të dhënat e sistemit evropian të monitorimit të zjarreve (EFFIS), tregon se gjatë vitit 2025 janë djegur mbi 2.24 milionë hektarë në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, një rritje prej 20 për qind krahasuar me një vit më parë dhe pothuajse 2.5 herë më shumë se në vitin 2023.
Në këtë panoramë të përgjithshme, Shqipëria shfaqet si një nga vendet e prekura në mënyrë të konsiderueshme.
Sipas raportit, në territorin shqiptar janë regjistruar 351 zjarre gjatë vitit 2025, të cilat kanë djegur rreth 61 mijë e 657 hektarë sipërfaqe. Por përtej shifrave absolute, ajo që bie më shumë në sy është intensiteti i sezonit: viti 2025 konsiderohet më ekstremi i regjistruar që nga viti 2010 dhe i dyti më i rëndë në historinë e monitorimit nga sistemi evropian EFFIS.
Kulmi i zjarreve është shënuar gjatë muajve korrik dhe gusht, kur temperaturat e larta dhe kushtet e thata krijuan terrenin ideal për përhapjen e flakëve. Në këtë periudhë janë regjistruar edhe zjarret më të mëdha të vitit, përfshirë një në zonën e Vergoit që dogji rreth 9 mijë e 856 hektarë dhe një tjetër në Dhivër që arriti në 10 mijë e 565 hektarë, duke u konsideruar si zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në Shqipëri.
Raporti tregon gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e zjarreve ka pasur përmasa të mëdha. Plot 26 zjarre kanë kaluar pragun e 500 hektarëve, një tregues i qartë i përshkallëzimit të fenomenit dhe vështirësisë për ta kontrolluar atë në kushte ekstreme klimatike.
Struktura e sipërfaqeve të djegura jep një panoramë edhe më të detajuar të ndikimit. Pjesa më e madhe e dëmeve është përqendruar në zona natyrore dhe vegjetacion mesdhetar, ndërsa rreth 40 për qind e sipërfaqes së djegur i përket kategorisë “tokë natyrore tjetër”, e ndjekur nga zona tranzitore dhe bujqësore. Pyjet përbëjnë një pjesë të rëndësishme të dëmit, duke përfshirë si pyjet gjetherënëse ashtu edhe ato halore, çka tregon se zjarret kanë prekur një gamë të gjerë ekosistemesh.
Raporti evidenton se zjarret nuk janë më një fenomen i izoluar apo i kufizuar në zona të caktuara, por një problem që prek një pjesë të madhe të kontinentit.
Në vitin 2025, zjarre janë regjistruar në 46 vende të përfshira në sistemin EFFIS, duke treguar një shtrirje gjeografike të gjerë dhe një intensitet në rritje.
Ndër vendet më të prekura rezulton Ukraina, e cila përbën rreth 30 për qind të sipërfaqes totale të djegur, ndërsa vende si Spanja, Portugalia dhe Turqia vijojnë të përballen me episode të rënda zjarresh, veçanërisht gjatë muajve të verës.
Por përtej vendeve tradicionalisht të ekspozuara ndaj zjarreve, raporti tregon se fenomeni po përhapet dhe intensifikohet edhe në rajone që më parë konsideroheshin më pak të rrezikuara. Kjo lidhet ngushtë me ndryshimet klimatike, rritjen e temperaturave dhe periudhat e zgjatura të thatësirës, të cilat krijojnë kushte ideale për përhapjen e flakëve.
Në rastin e Shqipërisë, ndikimi i këtyre faktorëve është bërë gjithnjë e më i dukshëm vitet e fundit. Terreni malor, temperaturat e larta gjatë verës dhe menaxhimi shpesh i kufizuar i zonave pyjore e bëjnë vendin veçanërisht të ndjeshëm ndaj zjarreve.
Një tjetër element shqetësues është ndikimi i zjarreve në zonat e mbrojtura natyrore. Në nivel evropian, rreth 39 për qind e sipërfaqeve të djegura gjatë vitit 2025 ndodhen në zona të mbrojtura, duke rritur rrezikun për biodiversitetin dhe ekosistemet e ndjeshme.
Ky zhvillim tregon se pasojat e zjarreve nuk kufizohen vetëm në dëmet ekonomike apo materiale, por shtrihen edhe në humbje afatgjata për mjedisin dhe ekuilibrin natyror. /Albanianpost.com