Trumpi thotë se Irani ka frikë ta pranojë se po negocion me SHBA-në
Shqipëria dhe Turqia u renditën të fundit në të gjithë Evropën për shpenzimet e ulëta buxhetore për mbrojtjen sociale. Ky zë buxhetor përfshin shpenzimet për pensionet, për ndihmën ekonomike dhe papunësinë.
Të dhënat e Eurostat, që i takojnë vitit 2021, tregojnë se Shqipëria shpenzoi 12.8 për qind të PBB-së për mbrojtjen sociale, duke lënë pas vetëm Turqinë, që shpenzon 10.7 për qind të PBB-së për këtë zë.
Në Bashkimin Evropian, vendet paguajnë mesatarisht 28.7 për qind të PBB-së nga buxhetet për mbrojtjen sociale.
Në vendin e parë qëndron Franca, si shteti më social në Evropë, ku shpenzimet për mbrojtjen sociale kaluan mbi 33.4 për qind e PBB-së me 2021, Austria vjen e dyta 32.3 për qind të PBB-së, të ndjekura nga Italia dhe Gjermania me nga 30.6 për qind se cila.
Shqipëria renditet më dobët edhe në Rajon. Bosnja, Serbia dhe Maqedonia e Veriut japin 18-19 për qind të PBB-së tyre për mbrojtjen sociale.
Për pasojë, pagesat për pensionet dhe ndihmën ekonomike në Shqipëri janë më të ulëta se në Rajon dhe Europë.
Pagesat e ulëta për mbrojtjen sociale në Shqipëri lidhen faktin se vendi mbledh më pak të ardhura buxhetore në krahasim me PBB-në e saj.
Vitin e ardhshëm, buxheti në vlerë do të shënojë rritje me 3.7 për qind në raport me pritshmëritë e këtij viti, por në raport me PBB të ardhurat do të shënojnë rënie në 27.7 për qind të PBB-së nga 28.1 për qind që pritet të jenë këtë vit.
Teksa vendi ynë nuk mbledh të ardhura më shumë se 27 për qind e PBB, mesatarja rajonale është rreth 25 për qind dhe në BE rreth 45 për qind.
Kapacitetet e dobëta fiskale kufizojnë mbështetjen për shtresat në nevojë. Gati për një dekadë me radhë vendi ynë nuk ka bërë përparim në rritjen e të ardhurave në raport me PBB edhe pse ka barrën fiskale më të lartë në Rajon dhe nuk aplikon TVSH të diferencuar për shportën e mallrave.
Vitet e fundit në mënyrë sistematike, institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kanë këshilluar qeveria të aplikojë rialokime për shtresat në nevojë pasi ajo është pjesa më e goditur nga krizat e viteve të fundit si pandemia Covi-19 dhe inflacioni që krijon lufta në Ukrainë.
Pensionistët dhe personat me ndihmë ekonomike janë pjesa më e goditur e shoqërisë nga inflacioni e për rrjedhojë vitin e fundit kontributi i tyre në të ardhurat buxhetore ka qenë i lartë.
Në vitin 2021, shpenzimet totale për përfitimet e mbrojtjes sociale në BE arritën në 4.1 triliardë euro, ose 28.7 për qind e PBB-së. Në vitin 2021, rreth 45 për qind e shpenzimeve totale për përfitimet e mbrojtjes sociale në BE ishte për skemat e pensioneve, e ndjekur nga kujdesit shëndetësor me 30 për qind.
Gjatë periudhës 2011-2021, zgjerimi më i shpejtë i shpenzimeve për përfitimet e mbrojtjes sociale është shënuar për funksionin e strehimit dhe përjashtimit social, i ndjekur nga funksioni sëmundje/kujdes shëndetësor.
/Telegrafi/