Shqipëria dhe Kosova: Tranzicioni i gjelbër që mbeti në shina

Rivitalizimi i hekurudhave në Shqipëri ka qenë një ëndërr e mbetur në sirtar prej një kohe të gjatë tashmë. Simbol i ekzistencës së hekurudhave kanë mbetur vetëm lokomotivat e ndryshkura. Trenat janë thjesht relike e së shkuarës për qytetarët e Librazhdit, por edhe të rajonit të Elbasanit, të cilët kanë udhëtuar me tren që prej viteve 1947…

Si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë nevojë urgjente për të investuar në zhvillimin e infrastrukturës së tyre hekurudhore për tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër. Në rrjetin aktual, të ndërtuar kryesisht pas Luftës së II-të Botërore, vihet re mungesa e lidhjeve ndërkombëtare dhe degradimi teknik.

Kredia prej 36.9 milionë eurosh për 120 km hekurudhë, ofruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) është një hap i jashtëzakonshëm dhe i mirëpritur për vitalizimin e infrastrukturës hekurudhore në vend, e cila do të ndikonte në aksesueshmëri, në uljen e ndotjes dhe në bashkëpunimin mes komuniteteve lokale në rajon, si dhe do ta vendosë Shqipërinë e Kosovën në një rrugë më të sigurt drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Mirëpo, që nga dhënia e kredisë, projekti ka hasur sfida të mëdha të lidhura me elektrifikimin, infrastrukturën e degraduar dhe shtyrjet e herëpashershme…

Transport  ekonomik  dhe miqësor  me  mjedisin? Qytetarët e vuajnë prej vitesh mosekzistencën e tij

“Jam djali i një familjeje që ka jetuar falë punës në hekurudhë. Në të kaluarën, një pjesë e madhe e punës për ndërtimin e hekurudhave është bërë vullnetarisht, si një kontribut i qytetarëve për zhvillimin industrial në vendin e tyre. Ku ka rrugë hekurudhore, ka përparim bujqësor, kulturor, shoqëror dhe industrial, ndaj mungesa e këtij transporti të mirëfilltë ka qenë një minus për ekonominë shqiptare. Po të kemi rrjetin hekurudhor shqiptar, do të jemi si të gjitha vendet e Europës”, thotë Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi në Klubin Ekologjik të Elbasanit.

Inxhinieri Genc Ligori fajëson pushtetet politike që kanë ardhur e kanë ikur. “Institucioni i Hekurudhës është parë vetëm si vend punësimi ku punojnë patronazhistët e partisë; ky institucion nuk ka pasur kurrë në krye një njeri vizionar. Në kohën e komunizmit, hekurudhat inaguroheshin me ceremoni dhe përdoreshin për propagandë nga ana e sistemit, ndërsa tani përdoren vetëm për vende pune dhe jo për të transportuar njerëz”, përfundon inxhinieri Ligori.

Një pension rural në Shqipëri është afërsisht 80 $ dhe në kushtet e mbijetesës, kur një shqiptar jeton me më pak se 5$ në ditë, transporti është jetik për lëvizshmërinë. “E bëj disa herë në muaj rrugën Elbasan-Tiranë, për shkak të kontrolleve mjekësore. Me pensionin tim të ulët, prej vetëm 8,000 lekësh, e kam të pamundur të përballoj biletat e furgonëve. Bileta vajtje-ardhje në Tiranë kushton 2,000 lekë se do marrësh edhe taksi nga terminali, ndërsa në Elbasan të ikin 1,000 lekë. Po të kishte tren, rruga do të bëhej më shpejt dhe mund të paguaja vetëm 100 ose 200 lekë, ose do të përfitoja nga mundësia e abonimit, siç përfitojnë edhe të afërmit tanë jashtë shtetit. Përse nuk bëhet edhe këtu? A duhet të jemi edhe ne si Evropa?”, pyet Bekja.

Ndërsa Greta, një tregtare ambulante, thotë se i shet produktet e saj të bulmetit çdo ditë në Elbasan dhe në fshatra. Sipas saj, për shkak të rritjes së çmimeve të transportit, më shumë humb sesa fiton. ‘‘Qeveria shqiptare e ka qejf rrëmujën dhe është me privatin, jo me të mirën publike. Përse nuk na i bën si bota trenat e t’i lidhë qytetet? U torturuan njerëzit. Nisen makinat kur duan. Treni është zgjidhja më e mirë për ne popullin e thjeshtë!’’, përfundon Greta.

Megjithëse pa asnjë investim për 30 vite, duket se kohët e fundit jemi pranë rizgjimit të hekurudhës e shumë shpejt do të kemi kantiere ndërtimi kudo, pasi ky projekt ka fituar vëmendjen e qeverisë, thotë drejtorja e përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Erjola Muka, në një intervistë për transmetuesin publik shqiptar.

TRENI  NUK  NISET  AS  NË  VITIN 2026 – PROGRES  I  NGADALSHËM  DHE  AFATE QË  SHTYHEN

Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për treguesit ekonomikë dhe financiarë të periudhës 2023 – 2025 tregon se ekziston një situatë e vështirë financiare dhe detyrime që nuk janë shlyer në kohë, përfshirë kredi afatgjata dhe afatshkurtra.

Afatet e përfundimit të projektit për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës kanë hyrë në një cikël të pafundëm shtyrjesh. Edhe pse deklarata e fundit zyrtare e Hekurudhës Shqiptare (HSH) premtonte përfundimin brenda tremujorit të parë të vitit 2025, sot në fillim të vitit 2026 treni mbetet ende një projekt në pritje.

Ministja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kishte deklaruar se punimet do të përfundonin në verën e vitit 2023, por ky afat u shty për shtatorin e të njëjtit vit. Këto shtyrje rrisin shqetësimet e qytetarëve për kohën dhe koston financiare. Gjithashtu, ndërtimi i stacionit të trenit në Tiranë bën pjesë në projektin e rehabilitimit Tiranë-Durrës, me linjën e re që pritet të ofrojë shpejtësi prej të paktën 100 km/h dhe çmim biletash 1-1.2 euro. Projektet e financimit nga Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për nënshkrimin e një granti dhe një kredie përfshijnë përfundimin e një linje të re prej 5 km nga Tirana drejt Rinasit. Ndërtimi aktual financohet nga INC S.P.A, me një ofertë prej 69.69 milionë eurosh, megjithatë, sfidat financiare dhe shtyrjet e bëjnë të pamundur përfundimin e projektit në afatin e caktuar në vitin 2025./express

Read Previous

Autoritetet po hetojnë rrethanat e dëmtimit të librit fetar në Gjakovë

Read Next

Mbrëmje vendimtare në Ligën e Kampionëve, sot mbyllet faza e ligës