Shqipëri | Hyn në fuqi ligji i ri për Policinë e Shtetit, cilat janë ndryshimet kryesore?

Ndryshojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin e Policisë së Shtetit. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, preken disa prej strukturave dhe funksioneve drejtuese, mënyra e emërimit të drejtuesve, organizimi territorial dhe sistemi i gradave.

Një prej risive lidhet me postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pas përfundimit të detyrës, ai do të ketë mundësi të rikthehet në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, por jo të emërohet sërish në postin që ka mbajtur.

Ndryshimi rikthen mundësinë e angazhimit të ish-Drejtorit të Përgjithshëm në nivelet drejtuese, pasi ligji i mëparshëm nuk e lejonte këtë rikthim dhe parashikonte që pas përfundimit të mandatit ai mund të shërbente vetëm si këshilltar.

Risi ka edhe në mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve të komisariateve dhe drejtorive. Emërimet do të bëhen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke rikthyer skemën e parashikuar para ndryshimeve të vitit 2024.

Ligji i vitit 2024 parashikonte që për këto funksione të zhvillohej një procedurë konkurrimi, ndërsa ndryshimet e reja ia rikthejnë kompetencën e emërimit Drejtorit të Përgjithshëm.

Në kuadër të riorganizimit territorial, rikthehet gjithashtu “Posta e Policisë”, si një nga strukturat bazë të organizimit të shërbimit policor në territor.

Ndërhyrje janë bërë edhe në sistemin e gradave, me rishikime që lidhen me organizimin dhe funksionimin e tyre brenda Policisë së Shtetit.

Ndryshimet ligjore sjellin kështu një riorganizim të disa hallkave të strukturës policore, duke përcaktuar kompetenca dhe mënyra të reja për funksionet drejtuese dhe organizimin e shërbimit.  /ATSH/

Read Previous

Luis Enrique synon trofeun e tretë radhazi të Ligës së Kampionëve

Read Next

Tjetër ndeshje për gjyqtarët kosovarë në skenën evropiane!