Rama thotë se qeveria do t’i ndihmojë bizneset e vogla të dëmtuara nga protesta

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dal në mëngjes në terren tek bizneset që janë dëmtuar si pasojë e dhunës që ka shpërthyer në protesta ditët e fundit në Tiranë.

Shefi i qeverisë shqiptare ka deklaruar që ekzekutivi do t’u vijë në ndihmë të gjitha bizneseve të dëmtuara.

Ai tha se në e-Albania është hapur një dritare e posaçme “Dëmi im” për deklarimin e dëmeve, ndërsa 10 grupe të Tatimeve do të dalin në terren për verifikimin e tyre.

“Po bëjmë verifikime. Kemi bërë gati një dritare që do të shfaqet tek e-Albania, ku do të mund të regjistroheni duke futur të gjitha të dhënat: emër, mbiemër, identitetin dhe NIPT-in. Pastaj e-mailin, numrin e celularit, të dhëna si sipërfaqja, kompania e sigurimit, parashikimi i dëmit dhe më pas do të ngarkoni dokumentet, që janë pamjet, bashkë me faturat. Do të shikohet edhe raporti me shtetin sa i përket pagesave të detyrimeve. Pasi të bëjmë verifikimet, do të mbledhim një regjistër të të gjitha dëmeve. Ne do t’ju vijmë në ndihmë të gjithëve. Çdo biznes që është dëmtuar nga vala e dhunës së verbër ka një dritare ku do të mund të regjistrojë dëmin. Siç u thashë miqve të dëmtuar në këtë biznes të vogël, 10 grupe verifikimi nga Tatimet do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat e dëmeve mbi biznesin e vogël në kryeqytet. Do t’i kthejmë gërmadhat e verbërisë në shembuj të forcës”, tha sot Rama në mëngjes.

Protestat e fundit në Shqipëri kanë nisur më 31 maj 2026, fillimisht si kundërshtim ndaj një projekti turistik luksoz në zonën e Zvërnecit, të lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Lëvizja qytetare, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, ka vazhduar për më shumë se katër muaj, duke zgjeruar kërkesat nga mbrojtja e mjedisit te lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i kushteve të jetesës dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Situata është përshkallëzuar më 13 tetor, kur protestave u janë bashkuar mijëra studentë dhe të rinj, të pakënaqur me kushtet në universitete, tarifat e shkollimit dhe mungesën e perspektivës ekonomike. Gjatë ditëve në vijim, në Tiranë janë regjistruar përplasje të dhunshme ndërmjet protestuesve dhe policisë, dëmtime të institucioneve publike dhe pronave private, si dhe dhjetëra të lënduar.

Sipas të dhënave të raportuara nga gazeta franceze Le Monde më 17 tetor, gjatë tri ditëve të protestave janë arrestuar 71 persona dhe janë lënduar 89 të tjerë, përfshirë 61 punonjës policie. Kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen, ndërsa institucionet vendore dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe respektim të së drejtës për protestë paqësore. /KosovaPress/

Read Previous

Trump pezullon tarifat dhe sanksionet e reja ndaj Rusisë

Read Next

Protestat në Shqipëri, AMP nis hetimet për veprimet e Policisë