Trump: SHBA-ja dhe Irani do të vazhdojnë bisedimet, por armëpushimi ka marrë fund
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi sot lidhur me fushatën e vlerësimeve negative në platformat online ndaj bizneseve të turizmit, duke e cilësuar atë si një sulm të motivuar politikisht që dëmtoi ekonominë e turizmit dhe sipërmarrjet shqiptare në kulmin e sezonit veror.
Në një postim në rrjetin social X, Rama ndau një artikull të publikuar nga “The Tirana Examiner”, ku trajtohet fenomeni i fushatës së koordinuar të komenteve dhe vlerësimeve negative ndaj dhjetëra bizneseve të sektorit të mikpritjes.
“Ekonomia jonë e turizmit u godit pabesisht nga terrori digjital mbi sipërmarrjet mikpritëse në kulmin e sezonit. Artikulli i “The Tirana Examiner” shpjegon se si një organizim i motivuar politikisht u kthye në agresion ekonomik kundër vendit dhe familjeve që jetojnë me turizmin”, shkroi Kryeministri.
Sipas artikullit të “The Tirana Examiner”, gjatë periudhës 6–10 korrik, dhjetëra biznese të sektorit të mikpritjes në Shqipëri u bënë objekt i një fushate të koordinuar të vlerësimeve negative në platformat Google.
Artikulli thekson se vlerësimet e disa strukturave të rëndësishme turistike ranë ndjeshëm brenda një kohe të shkurtër, përpara se Google të identifikonte anomalitë dhe të niste rikthimin e vlerësimeve të verifikuara vetëm pak ditë më vonë.
Sipas publikimit, rasti nxjerr në pah cenueshmërinë e sistemeve të reputacionit online për ekonomitë që mbështeten te turizmi, veçanërisht gjatë sezonit të pikut, kur gjenerohet pjesa më e madhe e të ardhurave vjetore të sektorit. /ATSH/