Qortimi për targat përfundon edhe një javë pastaj nis shqiptimi i gjobave prej 150 euro

Kanë mbetur vetëm edhe një javë kur do të përfundojë masa “Qortim” dhe do të nis zbatimi i masës së gjobave, për veturat që kanë ende targat serbe në Kosovë.

Nga 21 nëntori deri më 21 janar, pronarët që kanë ende veturat me targat serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro.

Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i regjistrojnë me targa RKS automjetet me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

MPB ritheksoi se pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targat e cekura më lartë.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, ka thënë Kurti.

BE dhe ShBA, nuk e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për mos shtyrjen edhe për një periudhë dhjetë muajshe çështjen e ndalimit të targave të lëshuara nga MPB-ja serbe.

ShBA vazhdojnë ta ripërsërisin të njëjtën kërkesë, që vendimi për targa të shtyhet të paktën edhe dhjetë muaj, pasi druajnë se mund të ketë rritje të tensioneve.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se duhet shtyrje e plotë e afatit për targat, derisa ka shtuar se janë të brengosur për 21 nëntorin, datë kjo kur fillojnë së zbatuari masat ndëshkuese për ata që s’i konvertojnë targat në RKS.

“Ne jemi të shqetësuar rreth afatit kohor dhe procesit të zbatimit të vendimit qeveritar për targat. Ne besojmë që duhet shtyrje të plotë, ne nuk po kërkojmë zbatim me faza ose shtyrje të pjesërishme dhe në veçanti jemi të brengosur rreth mundësisë së gjobave ose masave tjera ndëshkuese kur të jenë efektive nga 21 nëntori dhe këto brenga tona ua kemi bërë të qarta Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Hovenier.

“Absurde dhe të rrezikshme” po e quan këmbënguljen e Kurtit, ish ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai të shtunën mbrëma kërkoi që urgjentisht të krijohet vullneti politik për dalje nga situata që është krijuar pas zhvillimeve në veri.

“Është absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për targat ndërkohë që Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës me viktima tashmë të panumërta”, shkroi Rohde./Reporteri.net/

Read Previous

Kosovarit në Mitrovicë, i digjet vetura me targa të Serbisë

Read Next

Bie borë në Kosovë, zbardhet Brodi, Brezovica e Prevalla