Në Tel Aviv janë mbledhur dhjetëra mijëra protestues për të shënuar dyvjetorin e sulmit të 7 tetorit dhe për të ushtruar presion mbi kryeministrin Benjamin Netanyahu që të finalizojë marrëveshjen për lirimin e pengjeve të mbetura në Gaza.
“Jemi në ditët vendimtare për një marrëveshje”, deklaroi Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura. “Ky është momenti kur i gjithë Izraeli duhet të qëndrojë së bashku dhe të kërkojë me zë të lartë – të bëjë gjithçka që është e mundur për të sjellë vëllezërit dhe motrat tona në shtëpi.”
Familjet e pengjeve shprehën optimizëm, duke besuar se propozimi i fundit për armëpushim mund t’i sjellë pengjet në shtëpi.
Sipas deklaratave ndërkombëtare, presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje Netanyahu-t të ndalojë bombardimet në Gaza, pas pranimit nga Hamasi të elementeve kryesore të planit amerikan që përfshijnë lirimin e 48 pengjeve, prej të cilëve 20 besohet se janë ende gjallë.
“Dje shkuam për të fjetur me optimizëm të kujdesshëm pas shumë muajsh bllokimi”, tha Ruby Chen, babai i pengut të vrarë Itay Chen, 19 vjeç. “Është një situatë e brishtë dhe nuk duam të zhgënjehemi përsëri”, shtoi Viki Cohen, nëna e pengut 21‑vjeçar Nimrod Cohen, raporton reuters.
“Ndihem e emocionuar, me shpresë dhe pritje, por edhe me frikë se diçka do të shkojë keq me negociatat.” Disa protestues mbanin një banderolë të madhe me shkrimin “Tani ose Kurrë”. “Marrëveshja është në tryezë, ishte aty gjatë gjithë kohës,” brohorisnin ata.