Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim këtë të premte të 19 majit zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë.
“Në takim u bisedua për procesin integrues të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian, si dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon”, thuhet në njoftimin për medie të presidencës.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për integrimin e Kosovës në BE, ndërsa “ka ritheksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë”.
Presidentja Osmani, thuhet në komunikatë, se ka potencuar edhe përkushtimin e palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës për integrim në Bashkimin Evropian, e reflektuar edhe në bashkërendimin e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së.
Tutje, Presidentja Osmani ka folur mbi angazhimin e Republikës së Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon. /Albanianpost.com