Presidentja Osmani mbështet protestën në Tiranë për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur përkrahje të plotë për protestën që do të mbahet në Tiranë të premten, e cila synon të kërkojë drejtësi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas dhurimit të protezave të gjirit për gratë e prekura nga kanceri në Klinikën e Gjinekologjisë, Osmani ka deklaruar për gazetarët se UÇK-ja ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës dhe se drejtësinë e kësaj lufte do ta mbrojnë deri në fund.

“E mbështes këtë protestë dhe kam mbështetur çdo protestë që thërret për drejtësi. Qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët gjithandej asnjëherë nuk kanë kërkuar tjetër, përveç drejtësisë drejtësi që respekton parimet më të larta të mbrojtjes dhe të drejtave të njeriut”, u shpreh Osmani para gazetarëve.

Ajo ka pohuar se krerët e UÇK-së janë paraqitur aty sepse kanë pasur besim në drejtësi.

“Kanë kaluar tashmë pesë vite prejse janë dorëzuar, pa asnjë dyshim në drejtësinë ndërkombëtare. Ndërkaq, ne si institucione të Kosovës duhet të garantojmë që parimet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të respektohen plotësisht”.

“U jap plotësisht të drejtë qytetarëve tanë dhe i mbështes sa herë që protestojnë për të kërkuar respektimin e këtyre standardeve”.

Osmani ka deklaruar se kushdo që e ka parë me sytë e vet se çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, e di se ka pasur vetëm një agresor Serbinë dhe vetëm një viktimë Kosova.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë për liri, për ta mbrojtur popullin tonë dhe për ta çliruar Kosovën nga okupimi shekullor. Ka qenë luftë për mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe të qytetarëve të pafajshëm, të cilët sulmoheshin, vriteshin dhe masakroheshin nga ushtria serbe”.

Protesta në Sheshin “Skënderbeu” vjen pas asaj të organizuar në Hagë të Holandës, ku mijëra qytetarë kërkuan lirimin e ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. /Albanianpost.com

Read Previous

Bie numri i lindjeve në gusht 2025, krahasuar me muajin korrik

Read Next

Policia e Kosovës: Një aksident me fatalitet dhe mbi dy mijë gjoba trafiku brenda 24 orëve