Presidentja ​Osmani: Këtu na sollën njerëz me qëllime të rrezikshme e të papërgjegjshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç tha ajo, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

Në në konferencën për media, që nisi me gati një orë vonesë, Osmani nuk pranoi pyetje të gazetarëve, por tha se, do të mund të përgjigjet pasdite. 

Sipas, saj, moszgjedhja e presidentit të ri deri në mesnatën e 5 marsit e ka shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke theksuar se vendimi është detyrim kushtetues.

“Jam këtu para jush, sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosen që të dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme, është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjedhën interesin e Republikës së Kosovës. Prandaj, sot në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës kam nxjerr dekretin për shpërndarje të kuvendit, dhe nëpërmjet këtij dekreti po e kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë. Në një Republikë Kushtuese ka diçka është që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial është kontrata jonë e përbashkët si shtet, është kufiri që politika nuk mund të kalojë dhe që busulla që institucionet nuk mund të humbasin. Mbrëmë përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan, ky dështim nuk ishte as rastësor, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe ideuar, për fat të keq”, deklaroi Osmani.

Osmani ka thënë se këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme.

“Në këto rrethana gjuha e Kushtetutës është e detyrueshme. Neni 82 nuk thotë se Presidenti mund të zgjidhet deri 30 ditë para afatit, thotë: duhet, duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Pra kjo nuk është një kompetencë diskrecionale, është një detyrim kushtetues dhe për këtë arsye në përputhje me nenin 82 dhe nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës kam vendosur ta shpërndaj Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të shpall zgjedhjet e reja pas konsultimeve të cilat do t’i mbaj me partitë politike. Natyrisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i kuvendit për të kryer detyrën e tyre kushtetuese. Askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por, këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme. Alternativa, zvarritjet do të krijonin situata shumë më të rrezikshme, një proces i zvarritur pafund, siç e kemi parë në tërësi vitin 2025, dhe një shtet që fillon të relativizojë edhe vet kushtetutën e tij”, ka nënvizuar Osmani.

Osmani ka thënë se pyetja e vetme është për datën e zgjedhjeve të reja.

“Prandaj pyetja që duhet bërë nuk është nëse do të ketë zgjedhje. Pyetja e vetme është sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato. Pra, pyetja e vetme është kur është data e zgjedhjeve. Qytetarët nuk kanë nevojë për vonesa të reja. Kanë nevojë që të dëgjohet qartë zëri i tyre. Ata kanë nevojë po ashtu për qartësi. Kanë nevojë për institucione që funksionojnë e jo që janë në funksion të zvarritjes. Kanë nevojë për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia”, ka thënë Osmani.

Presidentja theksoi se sipas Kushtetutës, presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, i cili në rastin e saj përfundon më 4 prill 2026.

“Neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Mandati im përfundon me 4 prill 2026, kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat politik, kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar të përmbush një nga obligimet e tij themelore kushtetuese. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojne peshën e saj, është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin Kushtetuta është po aq e qartë për pasojat që rrjedhin kur kuvendi dështon të kryeje detyrat e veta. Parashikon qartë se një kuvend që nuk arrin të zgjedh presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin siç po tentohet. Por, përballet me një mekanizëm të qartë kushtetues që qon në shpërndarjen e tij…Pra, afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë, dhe presidenti nuk mund të zgjedhjet pas këtij momenti”, ka theksuar Osmani.

Osmani shtoi se deputetët kishin në dispozicion 23 ditë për ta kryer këtë detyrë, por vendosën të mos e bëjnë këtë.

“Deputetet e Kuvendit kanë pasur në dispozicion 23 ditë për të kryer këtë detyrë kushtetuese, nga momenti i konstatimit të tij. Ata vendosen të mos e bëjnë këtë, dhe ky është realiteti institucional më të cilin përballemi sot. Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzoj ditët që kishte në dispozicion, nuk e ndryshon kushtetutën tonë. Nuk e shtynë afatin, e mbi të gjitha nuk e zhbën detyrimin tim të qartë kushtetues që të shpërndajë këtë kuvend i cili dështoi. Kushtetuta nuk funksionon me logjikën e komoditetit politik, ajo funksionon me logjikën e përgjegjësisë institucionale. Asnjë kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon automatikisht rrjedhjen e afatit kushtetues. Vetëm një vendim i Gjykatës do të mund ta bënte një gjë të tillë. Dhe një vendim i Gjykatës nuk ekziston deri në këto momente. Prandaj sot nuk kemi një situatë të hapur interpretimi, kemi një situatë ku afati kushtetues tashmë ka përfunduar”, ka shtuar ajo.

Osmani ka theksuar se rasti i dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqet pengesë për shpërndarjen e Kuvendit.

Ndërsa ka shtuar se mosnxjerrja e këtij dekreti mua do të më vendoste në shkelje të qartë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

“Rasti i dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqet pengesë për nxjerrjen e dekretit, shpërndarjen e kuvendit, për aq sa gjykata nuk ka vendosur për masë pezulluese… I bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese që të trajtojë çdo çështje që mund të paraqitet edhe në të ardhmen, me urgjencë duke ditur sesa të rëndësishme janë qartësitë kushtetuese, duke mos lejuar assesi që qëllimet për zvarritje të dominojnë mbi interesin e Kosovës, dhe në asnjë moment të mos lejojnë asnjë presion i cili do të mund të ndryshonte interpretimin vetëm e vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Si presidente e Kosovës asnjë në moment as nuk kam ndërhyrë, as nuk do të ndërhyj dhe do ta mbroj çdo institucion të pavarur nga ndërhyrjet që mund të tentohet për të ndryshuar një vendim që interpreton Kushtetutën. Edhe nëse dikush e dërgon këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese unë do të përballem qartë në mbrojtje të këtij akti, në mbrojtje të këtij dekreti i cili është detyrim. Mosnxjerrja e këtij dekreti mua do më vendoste në shkelje të qartë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe këtë nuk e kam ndërmend ta bëj”, tha ajo”, tha ajo. /KosovaPress/

Read Previous

24 orët e fundit në rajonin e Gjakovës: Dhunë në familje dhe një person i raportuar i zhdukur

Read Next

Abdixhiku mirëpret dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit