Policia e Kosovës me plan operativ për ndeshjen Kosovë-Izrael

Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara sigurie për ndeshjen e sotme (e shtunë) në “Fadil Vokrri”, duke paralajmëruar ndërprerje të përkohshme të qarkullimit gjatë lëvizjes së eskortës së ekipit mysafir.

Përmes një komunikate, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka hartuar dhe po zbaton një plan operativ për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Masat kanë nisur që nga ardhja e ekipit mysafir në vend, përfshirë përcjelljen dhe sigurimin e tij gjatë lëvizjeve në Kosovë.

Policia ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet e përkohshme në trafik, ndërsa ka apeluar që tifozët të paraqiten me kohë në stadium, të mos marrin me vete gjësende të palejuara dhe të posedojnë biletat e dokumentet identifikuese. Institucioni ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me FFK-në dhe kompanitë e sigurisë për parandalimin e incidenteve të mundshme.

Komunikata e Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sigurisë në kuadër të zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare ‘Liga e Kombeve’ në futboll, në mes Kosovës dhe Izraelit, që do të zhvillohet sot në ora 15:00 në kryeqytet, ka përgatitur dhe është duke zbatuar një plan operativ ku parashihen masa sigurie.

Polica në zbatim të këtij plani, që nga ardhja e ekipit mysafir në Kosovë, ka ndërmarrë aktivitete sigurie përfshirë përcjelljen e ekipit dhe ofrimin e sigurisë sipas itinerarit të lëvizjes dhe qarkullimit të ekipit dhe stafit të tyre që po qëndrojnë në Kosovë.

Policia me masa të tilla sigurie do të vazhdojë edhe sot, kur do të zhvillohet ndeshja, ku gjatë lëvizjes dhe qarkullimit të eskortës, do të ketë kufizime apo ndërprerje të përkohshme të trafikut rrugor, andaj policia kërkon mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik.

Policia e Kosovës do të vazhdojë aktivitetet e saja në këtë drejtim në koordinim dhe mbështetje të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për të ofruar siguri para, gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes sportive.

Me këtë rast përsërisim kërkesat e FFK-së që shikuesit të paraqiten me kohë në stadium, të shmangin marrjen me vete të gjësendeve të palejuara, mjetet të rrezikshme përfshirë elemente apo mjete me përmbajtje të ndaluar si dhe të posedojnë biletat dhe dokumentet identifikuese gjatë hyrjes në studion.

Policia e Kosovës, në zbatim të detyrave dhe autorizimeve ligjore, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë dhe parandalimin e çfarëdo incidenti të mundshëm. Policia do të bashkëpunojë me FFK-në dhe kompanitë që ofrojnë sigurinë.

Si çdo herë Policia falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe mirëkuptim në interes të sigurisë së përgjithshme dhe fton ata që për çdo informacion apo rast të kontaktojnë Policinë në 192.

/Telegrafi/

Read Previous

Microsoft thotë se shërbimet e saj janë rikthyer plotësisht pas një ndërprerjeje globale njëditore

Read Next

MASh nis në Prishtinë bashkëbisedimet me studentët për Strategjinë e Arsimit 2035+