“Po ta dija, do ta thosha” – Albulena Haxhiu e pranon që s’ka asnjë provë për “vrasjen e Astrit Deharit”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pranuar në konferencë për media që ajo nuk e ka asnjë fakt, provë, apo emër të ndonjë personi që lidhet si fajtor me vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, rast për të cilin kishte thënë më parë se ekzistojnë faktet, por vetëm Prokuroria nuk po reagon.

“Po ta kisha emrin e kryerësit, apo kryerësve të veprës penale unë nuk do ta prisja ftesën e prokurorit për ta thënë emrin e personit që dyshohet. E kjo është puna e tij (e prokurorit), për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve. Punën e tij unë s’mund ta bëj. Madje ju e dini që mua shpesh më thonë që nuk je prokurore”, deklaroi Haxhiu.

Ajo konferencën për media e mbajti pasi u ftua nga prokuroria të dëshmojë se cilat qenkan ato prova të cilat po ekzistuakan dhe për të cilat nuk po lëvizë prokuroria e shtetit.

Haxhiu, duke mos pasur ndonjë fakt, apo detaj që tregon për vdekjen e Deharit, foli për dyshimet e saj se përse ajo u ftua të dëshmojë tani, kur edhe në të kaluarën kishte bërë deklarime të ngjashme.

“Nuk ishte hera e parë që kam thënë diçka të tillë publikisht. Por, shtrohet pyetja se përse reagoi tash, pse jo më herët. Po ashtu, a e ka reaguar njësojë prokurori special ndaj atyre zyrtarëve që kanë thënë se Astrit Dehari është vetëvrarë”, deklaroi Haxhiu, duke anashkaluar faktin se ishte version zyrtar i institucioneve që Dehari “është vetëvrarë”.

“Nëse tani për tani nuk dihen kush janë urdhërdhënësit apo ekzekutorët, atëherë prokurori është dashur të bëjë punën e tij. Detyrë e prokuronit është ta zbulojë këtë. Por, kjo nuk po ndodhë”, pohoi Haxhiu, prapë duke mos treguar se për çfarë provash po fliste në deklarimin e saj publik të mëparshëm.

“Prokurori duhet ta dijë që provë nuk është vetëm emri i përveçëm i personit të dyshuar për vepër penale, por gjithçka tjetër që çon te e vërteta”, vazhdoi deklaratën, po përsëri duke mos dhënë as vetë ndonjë provë.

Ajo më pas vijoi, por vetëm duke akuzuar institucionet se “ende nuk janë zhvilluar hetime të mirëfillta”

/albanianpost/

Read Previous

Themelohet Instituti Hulumtues për Ekonomi dhe Financa

Read Next

‘Shpartallohet’ një bandë italo-shqiptare e trafikut të drogës, 40 të arrestuar