Picula: Po flitet për anëtarësimin e përbashkët të Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE

Përfaqësuesi në Parlamentin Evropian dhe ish-raportuesi për Malin e Zi, Tonino Picula, ka deklaruar se rruga e këtij vendi drejt Bashkimit Evropian nuk po ecën me ritmin e pritur, megjithëse ka pasur përparim.

“Më duket se afrimi i Malit të Zi me Bashkimin Evropian po ecën mirë, por jo me ritmin që ishte paralajmëruar dhe inkurajuar”, tha Picula.

Ai kujtoi se deri para pak kohësh, Mali i Zi konsiderohej lider i procesit të integrimit evropian në rajon.

“Deri vonë, flitej vetëm për Malin e Zi si lider të politikës së zgjerimit. Por tani, po diskutohet për mundësinë e anëtarësimit të përbashkët të Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE”, u shpreh eurodeputeti kroat.

Shqipëria më parë është veçuar si një nga historitë më të suksesshme në rrugën drejt Bashkimit Evropian nga Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Gjatë fjalës së saj në Samitin për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet në Shkup, Kos theksoi progresin e Shqipërisë dhe vuri në dukje rolin aktiv të saj në procesin e reformave dhe hapjes së kapitujve të negociatave.

“Shqipëria, i dashur kryeministër Edi Rama, ka hapur tre klasterë gjatë gjashtë muajve të fundit. Faleminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit”, u shpreh Kos, duke e cilësuar Shqipërinë si një shembull për vendet e tjera të rajonit.

Komisionerja Kos theksoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, ndryshe nga e kaluara, por paralajmëroi se “dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë”, duke u bërë thirrje vendeve të rajonit të përshpejtojnë zbatimin e reformave të domosdoshme.

“Po shohim përparim të rëndësishëm”, shtoi Kos, duke përmendur edhe Malin e Zi që ka mbyllur një kapitull të negociatave, si dhe Serbinë që ka nisur të përfitojë fondet e para nga BE-ja. Megjithatë, Shqipëria u përmend e para dhe me tonet më të qarta pozitive. /Albanianpost.com

Read Previous

Shtëpia e Bardhë refuzon planin e Venezuelës për dorëheqjen e Maduro-s

Read Next

Merz: Gjermania dhe BE-ja duhet të përdorin fuqinë e tyre kundër rënies ekonomike