Përparim Rama: Mungesa e garancive financiare rrezikon Lojërat Mesdhetare në Kosovë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se Kosova mund të rrezikojë organizimin e Lojërave Mesdhetare për shkak të mospërmbushjes së obligimeve financiare dhe mungesës së garancisë së kërkuar nga organizatorët ndërkombëtarë.

Në një konferencë për media, Rama ka bërë të ditur se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare ka dërguar një letër zyrtare, përmes së cilës ka shprehur shqetësimin për detyrimet e papërmbushura.

Ai ka kërkuar sqarime nga institucionet përgjegjëse, duke vënë në pikëpyetje arsyet e vonesave dhe përgjegjësinë për situatën e krijuar.

Sipas Ramës, Komuna e Prishtinës i ka përmbushur përgjegjësitë e saj dhe ka kërkuar vazhdimisht mbledhjen e bordit, ndërsa ka pretenduar se Qeveria nuk u është përgjigjur komunikimeve të dërguara nga komuna dhe komiteti ndërkombëtar.

Rama ka theksuar se Lojërat Mesdhetare janë një zotim i rëndësishëm ndërkombëtar për Kosovën dhe një mundësi për zhvillimin e sportit, përmirësimin e infrastrukturës dhe promovimin e vendit.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të reagojnë pa vonesa, duke paralajmëruar se mosveprimi mund ta rrezikojë realizimin e këtij organizimi sportiv.

“Nuk kemi kohë për heshtje institucionale. Lojërat mesdhetare nuk janë projekt i vetëm një individi, apo i një partie, apo i një institucioni. Lojërat mesdhetare janë një angazhim ndërkombëtar i Republikës së Kosovës dhe një mundësi historike për zhvillimin e sportit, të infrastrukturës, ekonomisë dhe promovimit të vendit tonë. Prandaj, sot kërkojmë përgjigje të qarta: pse nuk janë përmbushur detyrimet financiare? Kemi këtu letrën nga ICMG, e cila është dërgu dje që e bën këtë pyetje të saktë. Pse nuk është dërguar garancia e kërkuar? Kush do ta marrë përgjegjësinë nëse Kosova e humb këtë mundësi historike? Prishtina i ka përmbushur përgjegjësitë e saj dhe vazhdimisht ka kërkuar me u mbledh bordi, qeveria nuk e ka kthyer asnjë email, as te ne, as te komiteti ndërkombëtar, dhe jemi në rrezik të humbjeve të lojërave mesdhetare”, theksoi ai. /RTK

Read Previous

Punëtorët teknikë në Prishtinë nuk heqin dorë nga kërkesa për pagë minimale prej 500 eurosh

Read Next

Kurti: Ligji për pastrimin e parave hap rrugën për integrimin e Kosovës në SEPA