PDK-ja nuk tërhiqet: Për të pestën ditë bllokon hyrjen e Qeverisë, i bashkohen edhe prodhuesit

Për të pestën ditë radhazi, deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë vazhduar aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar thirrjen dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Aksionit të PDK-së këtë të mërkurë i është bashkuar edhe Rinia Demokratike e Kosovës, ndërsa para objektit të Qeverisë kanë dalë edhe disa prodhues vendorë, të cilët së bashku me deputetët kanë bllokuar hyrjen në ndërtesë.

Deputetët e PDK-së po kërkojnë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të thërrasë seancën konstituive, duke e konsideruar zvarritjen e saj si shkak të vazhdimit të ngërçit institucional në vend.

Në ditët e fundit, deputetët e kësaj partie kanë qëndruar në hyrje të Qeverisë, duke synuar të pengojnë hyrjen e Kurtit në objekt. Ata e kanë quajtur atë “kryeministër ilegal”, duke kërkuar që institucionet të funksionalizohen përmes konstituimit të Kuvendit.

Në mesin e deputetëve që kanë marrë pjesë në aksionin e sotëm janë Vlora Çitaku dhe Blera Deliu.

PDK-ja ka deklaruar se aksionet do të vazhdojnë deri në thirrjen e seancës konstituive, ndërsa pjesëmarrja e prodhuesve vendorë i ka dhënë një dimension të ri protestës para Qeverisë.

Read Previous

Ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes që u shkarkua bën thirrje për zgjedhje presidenciale

Read Next

Premier Liga bën revolucion: Tifozët do t’i dëgjojnë për herë të parë bisedat e gjyqtarëve me lojtarët