Pavarësisht ngadalësimit të inflacionit në SHBA, tregjet e aksioneve në botë vazhdojnë të qëndrojnë keq

Java e kaluar ka sjell rezultat pozitiv për çmimet e konsumit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ky raport nuk ishte i mjaftueshëm për të nxitur një ndjenjë më të fortë pozitive në treg.

Indeksi amerikan i tregut S&P 500 u dobësua me 0.3 për qind, ndërsa NASDAQ u rrit me 0.4 për qind.

Inflacioni amerikan gjatë muajit prill vazhdoi të bie për të arritur në nivelin 4.9 për qind.

Kjo shifër paraqet një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me maksimumin e qershorit prej 9.1 për qind dhe nivelin më të ulët të Indeksit të Çmimeve të Konsumit që nga prilli 2021.

Megjithatë, inflacioni bazë, i cili përjashton artikujt e paqëndrueshëm si çmimet e ushqimeve dhe energjisë, u rrit 0.4 për qind nga muaji në muaj dhe 5.5 për qind nga viti në vit, por ishte në përputhje me pritjet. Në rritjen e çmimeve kontribuuan kostoja e banesave, karburanteve dhe automjeteve të përdorura, e kompensuar pjesërisht nga rënia e çmimit të karburanteve, automjeteve të reja dhe ushqimeve bazike për konsum shtëpiak.

Derisa inflacioni pothuajse është përgjysmuar relativisht shpejt, Rezerva Federale përballet me një detyrë shumë më serioze për ta ulur atë në objektivin shumëvjeçar të saj prej 2 për qind. Në luftën kundër inflacionit, FED e ka rritur normën e interesit me 5 pikë përqindjeje në nivelin më të lartë në pothuajse 16 vjet.

Edhe pse investitorët reaguan pozitivisht ndaj raportit të inflacionit, këtë herë ndjeshmëria e tregjeve nuk ishte aq e theksuar sa në njoftimet e fundit. /Telegrafi/

Read Previous

G7 dhe BE do të ndalojnë eksportin e gazit rus

Read Next

Koeman zbulon prapaskenat se përse Laporta e do rikthimin e Messit te Barcelona