Osmani takoi Lajçakun: Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohjen e ndërsjellë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Sipas njoftimit për media thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut në Bruksel, perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Presidentja foli për angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë, duke përçuar synimin e qartë të institucioneve tona që procesi të jetë i përqendruar në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Osmani theksoi se marrëveshja mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë është hap pozitiv në këtë aspekt, duke përmendur se zbatimi është shumë i rëndësishëm.

Presidentja gjithashtu ritheksoi urgjencën për progres në marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, e cila mbetet plagë e thellë në shoqërinë tonë.

Tutje, Osmani foli mbi nevojën për të pasur një mekanizëm të qartë zbatimi duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.

Osmani dhe Lajçak folën edhe për procesin e stërvonuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe nevojën për të ecur përpara urgjentisht, duke qenë se ky proces është i një rëndësie të madhe për kredibilitetin e BE-së në Kosovë.

/Telegrafi/

Read Previous

35 organizata e anëtarë të shoqërisë civile thirrje Qeverisë: Plagjiatorët të largohen nga Universiteti i Prishtinës

Read Next

I cilësuar si shkrimtar i brezit të artë, Teki Dervishi sfiduesi i regjimit serb