Osmani: “Open Balkan” e hap rajonin për ndikim edhe më të madh të Rusisë

Presidentja Vjosa Osmani e ka bërë të qartë se Kosova nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket pjesëmarrjes në iniciativën rajonale “Open Balkan”.

Ajo, në konferencën e përbashkët me Milo Gjukanoviq që është presidenti i Malit të Zi që po ashtu refuzon pjesëmarrjen në këtë iniciativë, tha se “Open Balkan” do ta ekspozonte më shumë rajonin e Ballkanit Perëndimor ndaj ndikimit rus.

“Edhe nga takimi i fundit i G7-ës është potencuar që bashkëpunimi rajonal i Ballkanit Perëndimor përkrahet në kuadër të Procesit të Berlinit, proces në të cilin Kosova vazhdimisht ka kontribuar dhe ka treguar rol konstruktiv. Ky është një proces i cili vërtet ka për qëllim që të ofrojë shtetet tona drejt Bashkimit Evropian, për dallim prej iniciativës ‘Open Ballkan’ e cila mendoj që ka dëshmuar sidomos në muajt e fundit që do të rezultonte me hapjen e rajonit tonë për një ndikim edhe më të madh të Rusisë. Ne atë duhet ta ndalojmë me çdo kusht dhe po ashtu në vend se ta përshpejtonte ecjen e shteteve tona drejt Bashkimit Evropian do t’i vendoste ato në një paradhomë ose dhomë pritjeje dhe rrjedhimisht do ta zgjaste procesin e integrimit në struktura euro-atlantike gjë që fare nuk është në interes të rajonit tonë”.

E para e vendit deklaroi se Kosova do ta zhvillojë bashkëpunimin rajonal në iniciativat ekzistuese ku bën pjesë, në veçanti në Procesin e Berlinit.

Në ndërkohë thotë se Serbia s’mund edhe të flasë për bashkëpunim rajonal e në të njëjtën kohë ta bllokojë Kosovën për anëtarësim në KiE.

“Aleksandar Vuçiqi dhe Serbia nuk mund të flasin në njërën anë për bashkëpunim rajonal, raporte të mira ndërfqinjësore dhe parime evropiane dhe në anën tjetër të tentojnë të vendosin çdo pengesë të mundshme drejt anëtarësimit të Kosovës në një organizatë si Këshilli i Evropës që është organizatë e të drejtave të njeriut që do t’i lejonte qytetarët tanë, pavarësisht etnisë së tyre, të kishin qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. S’mund edhe ta bllokosh në një mënyrë kaq perfide fqinjin tënd edhe të flasësh për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore në kuadër të një iniciative ‘Open Balkan’”. /Klankosova.tv/

Read Previous

84 ditë luftë, ja si është situata në Ukrainë

Read Next

Hovenier: Duhet punë sistemore për të luftuar dhunën në familje