Dy liderët institucional janë pyetur se në takim a janë hapur temat si Manastiri i Deçanit, apo Ballkani i Hapur, në përgjigjen e saj presidentja Osmani, ka thënë se Ballkani i Hapur nuk është shtruar fare si temë diskutimi, e ndërsa çështja e Manastirit të Deçanit është diskutuar në kontekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Ballkani i Hapur fare nuk është shtruar në takimin me Blinken, pra as nuk është përmendur në asnjë moment gjatë takimit tonë, kurse sa i përket çështjes së Manastirit të Deçanit është shtruar në kontekstin të cilën gjithnjë e keni dëgjuar edhe me herët nga ana e palës amerikane, në kontekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Osmani.
Përgjigje të njëjtë për këto dy pyetje ka dhënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Rreth 80 për qind të vëllimit kohor të atij takimi ka pasur të bëjë për marrëdhëniet bilaterale dhe kontekstin ndërkombëtare, po është diskutuar edhe çështja e Manastirit të Deçanit, por unë po e theksoj se vëllimi kohorë i takimit rreth 80 për qind ka qenë rreth kontekstit ndërkombëtar dhe marrëdhëniet tona bilaterale me SHBA-të”, ka thënë Kurti /Albanianpost.com