OSBE: Gjykatat të sigurojnë drejtësi në dënimin e rasteve të armëmbajtjes pa leje

Misioni i OSBE-së sot publikoi raportin më të fundit, të fokusuar mbi praktikat e dënimit në rastet që kanë të bëjnë me armëmbajtje pa leje.

Raporti analizon të dhënat e mbledhura nga dhjetori 2020 deri në gusht 2023, si dhe vlerëson praktikat ndëshkuese të gjykatave lidhur me respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë dhe ato ndërkombëtare, me fokus te dënimet e drejta dhe konsistente.

Analiza vë në dukje dy mangësi kryesore në lidhje me praktikat e dënimit në rastet e armëmbajtjes pa leje: vlerësimi joadekuat i rrethanave rënduese dhe lehtësuese; si dhe mungesa e konsistencës në aktgjykimet dënuese.

Në afro 25 për qind të rasteve të monitoruara, gjykatat në mënyrë të parregullt i kanë shqyrtuar si rënduese faktorë të përgjithshëm dhe rrethana jo individuale. Këtu përfshihet edhe mbajtja e paautorizuar e armëve që referohet si “lloj i veprës penale të kohëve të fundit” apo “më të shpeshta në Kosovë”.

Për më tepër, korniza ligjore e Kosovës nuk bën dallimin domethënës midis llojeve të armës si dhe shkallëve të rrezikshmërisë, gjë që çon në dallime të thella tek aktgjykimet dënuese nëpër gjykatat e Kosovës. Rrjedhimisht, 31 nga 33 raste rezultuan me gjoba me shuma të ngjashme (400 euro si më e shpeshta) për rastet që bënin fjalë për armë të ndryshme, që shkonin nga spreji lotsjellës e deri tek armët e zjarrit gjysmë automatike, të cilat paraqesin rrezikshmëri e seriozitet krejt tjetër.

“Në peshimin e dënimit, gjyqtarët kanë për detyrë të ruajnë konsistencën dhe drejtësinë e dënimeve, duke siguruar që dënimi të pasqyrojë rrethanat e rastit në fjalë. Ky është çelësi për një sistem drejtësie të drejtë dhe të paanshëm”, tha Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Raporti përfundon me rekomandimet që i drejtohen palëve kryesore në sistemin gjyqësor të Kosovës, duke përfshirë trajnimet e përgatitura enkas për gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe ndryshimet në kornizën legjislative dhe udhëzues./21Media

Read Previous

Kurti takon kandidatët e LVV-së për deputetë në RMV: Mbështetje e fuqishme për ndryshim

Read Next

Haxhiu pas ngjarjes së rëndë në Pejë: Bëj thirrje të monitorohet gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale