Kurti takon kandidatët e LVV-së për deputetë në RMV: Mbështetje e fuqishme për ndryshim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë në radhët e koalicionit “VLEN”, në Maqedoni të Veriut, të cilëve u ka dhënë mbështetje “të fortë”.

Lajmi është bërë i ditur nga Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit, njëherit kandidat për deputet.

“Bashkë me kandidatet nga Maqedonia e Veriut, Nafije Selmanin prej Njësisë Zgjedhore 1 (Shkupi), dhe Medine Ukshinin nga Njësia Zgjedhore 2 (Kumanova), takuam kryetarin dhe kryeministrin Albin Kurti, në Këshillin e Përgjithshëm të LVV”, shkroi Qoku në Facebook.

“Mbështetje e fortë dhe frymëzim i pandalshëm për ndryshim!”, theksoi ai.

Ndryshe, Kurti tanimë edhe zyrtarisht është përfshirë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, duke marrë pjesë në tubime që i organizon koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, të cilin e përkrah dhe brenda listave të të cilëve ka futur kandidatë për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti do të marrë pjesë një tubim që është organizuar nga “VLEN”-i në Berlin të Gjermanisë, që do të mbahet më 19 prill, katër ditë para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale.

Aty, së bashku me Kurtin, do të jenë edhe liderët e tjerë të koalicionit “VLEN” – kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kandidati i tyre për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, lideri i Alternativës, Afrim Gashi, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, si dhe përfaqësuesi i VV-së Maqedoni të Veriut, njëherit këshilltar i Kurtit, Bekim Qoku.

Njoftimi per pjesemarrjen e kryeministrit Albin Kurti ne tubimin e VLEN-it.

Maqedonia e Veriut brenda në fund të prillit dhe në fillim të majit do të përballet me procese elektorale. Fillimisht do të jenë ato presidenciale, raundi i parë më 24 prill, ndërsa i dyti më 8 maj, së bashku me ato parlamentare.

Në kampin shqiptar në zgjedhjet presidenciale do jenë dy kandidatë shqiptarë nga 7 gjithsejtë. Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Evropian” – që përbëhet nga disa parti shqiptare dhe parti të minoriteteve – i ideuar nga kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Nga ana tjetër është Taravari që ka mbështetjen e “VLEN”-it dhe të kryeministrit Kurti – madje kandidatura e kryetarit të Gostivarit për president ishte bërë pas një takimi që kishte pasur me Kurtin në Prishtinë, së bashku me partnerët e tij të koalicionit.

Ndërsa për zgjedhjet parlamentare, përveç mbështetjes, Kurti do të ketë në listat e “VLEN”-it edhe kandidatë për deputetë, 3 sosh, me në krye këshilltarin e tij, Bekim Qoku.

Duke mbështetur opozitën shqiptare, kryeministri është rreshtuar kundër partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim, rrjedhimisht kryetarit të saj Ahmeti

Lidhur me ndërhyrjet e Kurtit në zgjedhje të Maqedonisë së Veriut ka folur edhe Ahmeti.

Në një intervistë për Albanian Post, ai ka treguar rreziqet malinje që mund të vinë në të ardhmen nga përfshirja e Kurtit në procesin elektoral të Maqedonisë së Veriut.

Kjo ndërhyrje e Kurtit, sipas liderit të BDI-së i hap rrugë apetiteve të vendeve tjera si Bullgaria dhe Serbia, të cilat mund të organizojnë partitë e tyre në Maqedoni të Veriut.

Përfshirja e Kurtit në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të vendit fqinj nuk është e para.

Ai edhe më herët kishte mbështetur kandidatin e pavarur shqiptar – të përkrahur nga opozita shqiptare – për president Blerim Rekën, duke vepruar ndryshe nga partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, BDI-ja.

Po ashtu, edhe në zgjedhjet parlamentare të 2021-së, Kurti kishte mbështetur opozitën shqiptare, përkatësisht koalicionin në mes të Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës dhe Alternativës së Afrim Gashit./Albaninanpost.com

Read Previous

Sulmi iranian, Izraeli bën thirrje për sanksione ndaj Terhanit

Read Next

OSBE: Gjykatat të sigurojnë drejtësi në dënimin e rasteve të armëmbajtjes pa leje