Oleksandr Usyk ka ndryshuar planet e tij për t’u tërhequr pas një dueli të fundit, pasi synon ta zgjasë karrierën e tij përtej vitit 2026. Kampioni i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë kishte deklaruar se do të boksonte edhe një herë të fundit vitin e ardhshëm.
Por tani ai ka zbuluar se planifikon të vazhdojë përtej kësaj. 38-vjeçari ukrainas e fitoi me KO duelin e tij të fundit në stadiumin Wembley ndaj Daniel Dubois, në një performancë dominuese. Ai pret të jetë në gjendje të garojë në të tilla nivele edhe për dy vjet të tjera.
“Do të dueloj deri në moshën 41 vjeç“, tha Usyk për faqen e tij të internetit “Ready to Fight”. Më pas, boksieri ukrainas konfirmoi planet e tij për të ardhmen: “Pastaj, pasi të tërhiqem, do të ndërtoj një akademi sportive. Do të stërvitem atje dhe do të stërvit të tjerë“.
Një dëmtim në shpinë e la jashtë Usyk për pjesën tjetër të këtij viti. Por ai po stërvitet dhe po përgatitet të boksojë. Kthimi i tij i synuar është viti 2026. “Vitin tjetër dhe me vullnetin e Zotit, do të rikthehem të boksoj dhe të fitoj“, deklaroi Usyk, i pamposhtur në karrierën e tij.
Usyk nuk ka ndërmend të përballet me yllin në ngritje, britanikun Moses Itauma, i cili është 20 vjeç. “Jo, nuk do të dueloj me Itaumën në sfidën e radhës. Ai është i ri, gjithmonë më ngacmon. Dhe ai vetë tha se nuk i godet gjyshërit!” tha Usyk, që është gati dyfishi i moshës së talentit britanik.
Në fund, ukrainasi foli për sfidën e radhës në ring dhe se kush mund të jetë rivali i tij: “Nuk mund të them se kush është saktësisht rivali im sepse negociatat janë duke vazhduar. Do të gënjeja nëse do t’ju jepja një emër.” /Telesport.al/