OEK dënon ndalimin e qytetarëve kosovarë nga ana e autoriteteve të Serbisë

Ndalimi i qytetarëve nga Kosova në kufirin mes Serbisë e Kroacisë, nga ana e autoriteteve të Serbisë është veprim i papranueshëm, i dëmshëm dhe në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit e integrimit që promovon Kosova por edhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet e BE-së që e synon tërë rajoni.

Përmes një komunikate për medie, Oda Ekonomike e Kosovës thekson se qytetarët e Kosovës, bizneset e Kosovës, kanë treguar se janë të hapur për bashkëpunim me të gjithë pa dallim, por të njëjtën e presin edhe nga popujt dhe shtetet e tjera të rajonit.

“U apelojmë të gjithëve që të marrin masa që të mos pengohet lëvizja e lirë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe që qytetarët dhe bizneset e Kosovës të trajtohen të barabartë me të gjithë të tjerët”, thuhet në komunikatë.

Tutje, OEK apelon tek institucionet ndërkombëtare që të marrin hapa konkret në respektimin e parimeve të Procesit të Berlinit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Deri sa e mirëpresim reagimin e instancave vendore e ndërkombëtare, u bëjmë apel, veçanërisht institucioneve të BE-së, që të marrin hapa konkret që hapat e integrimit të rajonit si parime të Procesit të Berlinit dhe parakusht për anëtarësimin në BE të respektohen nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatë. /RTK/

Read Previous

Schwabe: Anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk duhet të lidhet me dialogun

Read Next

Osmani: Pesë policë të Kosovës po mbahen peng nga Serbia