“Ndëshkim penal për dhunuesit e hapësirës publike”, Rama paralajmëron paketën ligjore

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetin social Facebook ndaj shkeljeve të hapësirave publike në Tiranë.

Rama e ka cilësuar të papranueshme situatën që, sipas tij, nuk mund të jetë pjesë e realitetit të qyteteve shqiptare të vitit 2030 në Bashkimin Europian.

“Kjo nuk mund të jetë kurrësesi një skenë e zakonshme nga jeta e një lagjeje në qytetet e Shqipërisë 2030 në BE, e jo më një skenë e përditshme as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës.”- shkruan Rama, duke iu referuar një rasti konkret të zaptimit të hapësirës publike pranë qendrës së kryeqytetit.

Sipas tij, nuk mjafton më që institucionet përkatëse të ndërhyjnë rast pas rasti për largimin e individëve që ndërhyjnë në jetën komunitare, por nevojitet një qasje më e ashpër dhe afatgjatë.

“Këtu duhet vënë njëherë e mirë me ligj e me zakon dhe kushdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike me një akt zaptimi, duke bllokuar, ndërtuar, ndotur apo bërë biznes në kurriz të komunitetit, duhet të ndëshkohet penalisht.”-thekson kreu i qeverisë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se shumë shpejt qeveria do të propozojë një paketë të posaçme ligjore, e cila do të synojë ndëshkimin penal të atyre që ai i quajti “dhunues të hapësirave të përbashkëta publike”. /Euronews.al/

Read Previous

Migracioni në BE: Rriten dëbimet e azilkërkuesve mes politikave të reja

Read Next

SHBA-ja publikon dokumentet sekrete të vr*sjes së Martin Luther King