NBC: Trump shpërtheu ndaj Netanyahut

Presidenti amerikan Donald Trump raportohet se ka ngritur tonin ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për krizën humanitare në Rripin e Gazës.

Duke cituar zyrtarë të lartë amerikanë të paidentifikuar, NBC tha se diskutimi i nxehtë telefonik u zhvillua më 28 korrik, pasi Netanyahu tha në një aktivitet se pavarësisht raportimeve të shumta për uri në Gaza, “nuk ka uri në Gaza”, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.

Trump u përgjigj publikisht një ditë më vonë se nuk ishte i bindur për vërtetësinë e deklaratës së Netanyahut, se “ka uri të vërtetë” në Rripin e Gazës, dhe shtoi: “Nuk mund të falsifikohet”.

Sipas artikullit, pas komenteve të Trumpit, Netanyahu kërkoi një telefonatë me presidentin amerikan dhe të dy udhëheqësit folën disa orë më vonë.

Gjatë telefonatës, kryeministri izraelit i tha Trumpit se Hamasi kishte sajuar raportime për zi buke në Gaza dhe se zia e bukës nuk ishte përhapur gjerësisht.

NBC raporton se Trump më pas e ndërpreu dhe filloi të ngriste zërin, duke thënë se ndihmësit e tij i kishin treguar prova se fëmijët në Gaza po vuanin nga uria dhe se ai nuk donte ta dëgjonte këtë të hidhej poshtë si gënjeshtër. /Reporteri.net/

Read Previous

Florent Muslija transferohet te Fortuna Dusseldorf

Read Next

“Mirror”: Shqipëria, destinacioni i bekuar me klimë mesdhetare dhe peizazhe magjepsëse