NATO shqyrton zgjerimin e arsenalit bërthamor në Evropë përballë kërcënimit rus
Aleanca Perëndimore, NATO po shqyrton zgjerimin e kapaciteteve të saj bërthamore në Evropë, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia.
Një nga mundësitë që po diskutohet është dislokimi i armëve të tjera bërthamore amerikane në Evropë.
Sipas ekspertëve, SHBA-ja mund të ketë transferuar tashmë bomba të tipit B61-12 në bazën ajrore britanike “Lakenheath”.
Nëse situata e sigurisë përkeqësohet më tej, vende më pranë Rusisë, si Polonia, Finlanda dhe Lituania, mund të konsiderohen si pika të reja të mundshme për stacionimin e këtyre armëve.
Bëhet fjalë kryesisht për armë bërthamore jo-strategjike, të projektuara për përdorim kundër objektivave ushtarake si trupa, aeroporte, porte, qendra komanduese dhe infrastrukturë tjetër ushtarake.
Këto armë zakonisht, kanë fuqi më të ulët shpërthyese sesa raketat strategjike dhe mund të lëshohen nga avionë luftarakë ose raketa me rreze më të shkurtër.
Pas reduktimit të madh të arsenalit bërthamor pas Luftës së Ftohtë, ekspertët vlerësojnë se rreth 100 bomba B61-12 mbeten në baza ajrore në Gjermani, Belgjikë, Itali, Holandë dhe Turqi.
NATO synon të rrisë aftësinë për t’iu përgjigjur një sulmi bërthamor
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen, të dislokohen më shumë armë bërthamore amerikane në Evropë.
Ai tha se NATO po vlerëson vazhdimisht se çfarë kapacitetesh i nevojiten dhe se si duhet të duket strategjia e saj bërthamore. Sipas tij, aleanca do të bëjë ndryshimet e nevojshme.
“Duhet të jemi të sigurt se askush nuk mund të na sulmojë me armë bërthamore, pa qenë ne në gjendje të përgjigjemi”, tha Rutte.
Në takimin e fundit të Grupit të Planifikimit Bërthamor të NATO-s, aleatët deklaruan për herë të parë, pas gati dy dekadash se do të forcojnë misionin bërthamor të aleancës, përmes modernizimit të kapaciteteve dhe përmirësimit të planifikimit.
Ekspertët: SHBA-ja mund të shtojë armët bërthamore në Evropë
Eksperti amerikan i armëve bërthamore, Robert Peters tha se pret që Uashingtoni të forcojë parandalimin bërthamor në Evropë brenda dy viteve të ardhshme, me synimin për të ulur rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Sipas tij, do të kishte kuptim që SHBA të vendoste 100 deri në 150 armë të tjera bërthamore jo-strategjike në Evropë, përfshirë potencialisht në Poloni dhe Finlandë.
Peters pretendon se Rusia ka aktualisht një avantazh të madh në armët bërthamore jo-strategjike, me një raport që mund të jetë më shumë se 10 me 1 në favor të Moskës.
Eksperti i NATO-s për politikat bërthamore, Jim Stokes, tha se aleanca nuk ka domosdoshmërisht nevojë të barazojë numrin e kokave bërthamore ruse.
Sipas tij, qëllimi kryesor është të tregohet se SHBA-ja mbetet e angazhuar për mbrojtjen e aleatëve të saj.
Ai theksoi se gjatë Luftës së Ftohtë, NATO-ja kishte një gamë më të gjerë sistemesh bërthamore në Evropë, përfshirë raketat “Pershing II” dhe raketat kruz “Gryphon”.
Megjithatë, sipas Stokes, nuk është domosdoshmërisht e nevojshme që, armët amerikane të zhvendosen më pranë Rusisë, pasi ato mund të përdoren edhe nga Evropa Perëndimore.
Ai shtoi se vendet aleate, mund të japin kontribut edhe përmes avionëve të certifikuar për misione bërthamore, furnizimit me karburant në ajër, zbulimit, mbështetjes ajrore dhe sistemeve të komandës.
Franca kërkon një rol më të madh bërthamor evropian
Përpjekjet e udhëhequra nga Franca për krijimin e një parandalimi bërthamor evropian, shihen nga NATO si një plotësim të kapaciteteve amerikane, jo si zëvendësim i tyre.
Rutte tha se mburoja bërthamore amerikane, mbetet garancia kryesore për sigurinë e aleatëve, ndërsa iniciativa franceze mund të shtojë një shtresë tjetër mbrojtjeje.
Ekspertët vlerësojnë se, Franca dhe Britania e Madhe nuk mund të zëvendësojnë kapacitetet amerikane për nga numri i kokave bërthamore, sistemet e shpërndarjes dhe platformat ushtarake.
NATO-ja dhe SHBA-ja konfirmojnë se armët bërthamore amerikane, janë të dislokuara në Evropë, por numri i saktë dhe vendndodhjet e tyre mbahen sekret. /ATSH-DPA/