Natë e skuadrave vendase në NBA, Lakers pësojnë humbjen e dytë

Natën e mbrëmshme janë luajtur tre ndeshjet e reja të ‘Play-Off’-it të NBA-së dhe sërish të gjitha fitoret i fituan vendësit.

Dramë e madhe u pa në duelin mes Denver Nuggets dhe Los Angeles Lakers, në të cilin Denveri fitoi pas një kthese të madhe me dy pikë diferencë 101:99.

Lakers kryesuan gjatë tre çerekëve të parë, madje duke qenë edhe në 19 pikë diferencë 74:55, por në fund vendasit bën një rikthim fantastik.

Duke hyrë në minutën e fundit, Jamal Murray sjell edhe Nuggets (97:97) nga vija e gjuajtjeve të lira dhe në anën tjetër, LeBron James hakmerret për epërsinë e re të Lakers.

Në sulmin e radhës, Murray shënon sërish për kampionët dhe barazon, e më pas në 15 sekonda të mbetura, LeBron humbet një trepikësh të hapur.

Denverit iu dha një sulm i ri për të fituar dhe ai u mbyll në mënyrë fantastike me një goditje në gjysmë distanca nga Murray, i cili shënoi me tingujt e sirenës për fitoren e Denverit prej 101:99. Ishte epërsia e parë e Denverit në ndeshje, por mjaftoi për të fituar.

Nikola Jokic ishte lojtari më efikas i Denverit me 27 pikë, ai pati 20 kërcime dhe dhuroi 10 asistime. Murray e mbylli ndeshjen me 20 pikë, ndërsa Anthony Davis ishte më i miri për Lakers me 32 pikë dhe 11 kërcime.

LeBron shënoi 26 pikë, 12 asistime dhe 8 kërcime, por që ishin të pamjaftueshme për fitore.

Në dy ndeshjet e mbetura festuan Cleveland Cavaliers dhe New York Knicks.

Cavaliers mundën Orlando Magic 96:86, ndërsa Knicks mundën Philadelphia 76ers 104:101. Të dyja skuadrat fituese tani kryesojnë 2:0 në serinë e raundit të parë të play-off-it, ashtu si Nuggets kundër Lakers. /Telegrafi/

Read Previous

Mblidhen sot shtatë komisione parlamentare

Read Next

OKB thirrje Britanisë të rishikojë planin për dërgimin e emigrantëve në Ruanda