Nagavci: Vetëvendosja s’ka votë për deputetët e Listës Serbe

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk do ta votojë asnjë propozim të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit. 

Ajo ka thënë se shpreson që të enjten, kur do të mbahet seanca e radhës, partitë më të mëdha shqiptare të mos e lëshojnë rastin dhe ta votojnë ministrin në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. Rashiq është kryetar i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë 

“Qëllimi i ynë është që ministri në detyrë dhe deputeti i zgjedhur, z. Rashiq, që e ka njohur në vazhdimësi Republikën e Kosovës dhe ka punuar për të mirën e komunitetit serb duke e njohur Republikën e Kosovës, të jetë pjesë e Kryesisë së Kuvendit dhe nënkryetar i Kuvendit. Dhe asnjë deputet që është i lidhur me strukturat kriminale të mos jetë pjesë e Kryesisë. Ky është qëllimi i Lëvizjes dhe e kemi bërë të qartë edhe me votë”, ka thënë Nagavci për “Interaktiv” në KTV-së. 

Emri i Rashiqit u nxor me short të martën, por në votim mori 55 vota. 

“Nuk e kuptoj gjithë këtë zell të PDK-së e LDK-së që kujdesen kaq shumë për Listën Serbe. Pse është gjithë kjo. LDK-ja tashmë ka konsumuar shkelje pasi nuk mori pjesë votim. Aktgjykimi thotë se deputetët duhet të marrin pjesë votim…Çfarë i shtyn të jenë kaq të kujdesshëm me Listën Serbe e derisa kanë qenë tejet jobashkëpunues në rastin më të butë me Lëvizjen Vetëvendosje, që ka fituar 40 për qind në zgjedhje”, ka thënë Nagavci. “…Besoj dhe dua të besoj e uroj, që partitë që përfaqësojnë shumicën shqiptare të mos e humbin shansin që e kemi. Të mos bëjnë edhe mëtutje bllokadë e vonesë të konstituimit të Kuvendit”. 

Nagavci ka thënë se për t’u adresuar çështja në Kushtetuese duhet të jenë dhjetë deputetë, e Lista Serbe i ka nëntë deputetë. 

“Me votimin eventual të Rashiqit, Kuvendi nis punën e fillon të ecë afati për zgjedhjen e qeverisë”, tha Nagavci. 

Ajo tha se mund të jenë dy arsye pse PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë votuar Rashiqin. 

“E para duan ta pamundësojnë Kurtit që të vazhdojë me propozimin për votimin e qeverisë. Apo janë tepër të interesuar të kenë Listën Serbe si partnere e aleate, siç e kishin deri më tash në gjitha qeveritë e kaluara”, tha Nagavci. /Koha.net/

Read Previous

NATO planifikon rritjen e furnizimeve ushtarake për Ukrainën

Read Next

Komisioni Rregullator në Shqipëri shpall nesër rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit