Nagavci për projektligjin e pagave: Kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, pas njoftimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla rreth procedimit të projektligjit për pagat ka bërë të ditur se është proceduar në konsultime paraprake.

Kështu është shprehur Nagavci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Me rastin e hartimit të Projektligjit marrë për bazë rekomandimet e MASHTI, si dhe janë trajtuar edhe ato kategori të punëtorëve të arsimit të cilat ishin lënë anash në ligjin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar ajo.

Ajo konsideron se ky projektligj dallon shumë nga ligjet e mëhershme

“Efekti i drejtpërdrejtë i tij do të jetë përmirësimi i pozitës së punëtorëve të arsimit, motivimi i tyre për performancë sa më të mirë dhe drejtësi e barazi”.

Ministrja e Arsimit, theksoi edhe ato që projektligji i pagave do të sjell.

“Koeficientë të dinjitetshëm për punonjësit e arsimit të të gjitha niveleve. Trajtim të barabartë të mësuesve klasorë dhe mësimdhënësve lëndorë në arsimin e mesëm të ulët. Shtesa në paga në bazë të kualifikimit dhe përgjegjësve menaxheriale”.

“Përcaktim të vlerës së koeficientit në bazë vjetore. Transparencë të plotë të pagave në sektorin publik. Angazhimi i të gjithë neve duhet të jetë te fillimi i suksesshëm i vitit të ri shkollor me 1 shtator”.

Më 17 gusht, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se ka proceduar për konsultime paraprake Projektligjin për Pagat dhe Projektligjin për Zyratarët publik.

Këtë njoftim ministri e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Të dyja këto ligje do të kontribuojnë në barazi e drejtësi brenda sistemit të administratës publike sa i takon të drejtave, profesionalizimin e administratës publike sa i takon shërbimeve dhe qëllimit se përse ekziston administrata dhe padyshim rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies”.

“Shërbimeve publike për qytetarët, bizneset dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë qëllimi parësor i rregullimit të administratës ndaj ne besojmë se ky qëllim është adresuar në këto dy nisma ligjore”, ka shkruar Sveçla.

Gjithashtu ka theksuar se pas miratimit në qeveri e kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

BSPK-ja shpall grevë të përgjithshme, fajtori për këtë është Qeveria

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka lajmëruar se nga 25 gushti i këtij viti do të ketë grevë të përgjithshme të të punësuarve për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Greva e përgjithshme do të vazhdojë derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

Kështu të paktën ka bërë të ditur kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, në një konferencë për media.

Greva e përgjithshme e paralajmëruar nga BSPK-ja, pritet të afektojë institucionet arsimore dhe administratën publike.

“BSPK-ja përsëri ka ndjekur të gjitha rrugët ligjore drejt realizimit të kërkesave, por nuk ia doli të ulet me Qeverinë për të gjetur një rrugë të duhur. Prandaj sot dua t’u informojë se po hymë në grevë”, ka thënë Hykolli.

“Kërkojmë 100 euro shtesë deri sa të miratohet Ligji për Paga”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër Rrahman Jasharaj, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka thënë se fajtori i vetëm për grevën e paralajmëruar është Qeveria Kurti.

“Fajtori i vetëm se çka do të ndodhë tash e tutje me mbylljen e çerdheve, me mbylljen e institucioneve arsimore dhe administratës dhe në të gjithë sektorët tjerë është Qeveria Kurti me në krye kryeministrin Kurti dhe ministri Murati”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka shtuar se kanë dërguar edhe përfaqësuesin ligjor për ta nxitur dialogun, mirëpo sipas tij, Qeveria nuk qan kokën për zërin e sindikatave. /Albanianpost.com

Read Previous

SpaceX i ofron 25 mijë dollarë atij që mund ta hakojë Starlinkun

Read Next

Japonia u sugjeron të rinjve të konsumojnë më shumë alkool, kjo është arsyeja