MINT: Çmimet maksimale për derivate mbesin të njëjta

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka bërë të ditur se çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës do të mbesin të njëjta si të dielën.

“Për ditën 06.04.2026, çmimet maksimale të lejuara janë si vijon: nafta (dizel) – 1.86 euro për litër, ndërsa benzina – 1.49 euro për litër”, thuhet në njoftimin e MINT-it.

Ky dikaster u ka kërkuar të gjithë operatorëve ekonomikë që ta zbatojnë vendimin e ri të marrë nga ministrja Kusari-Lila, me qëllim të garantimit të një tregu funksional, të qëndrueshëm dhe në shërbim të interesit të konsumatorit.

Kosova e vendosi të shtunën një masë mbrojtëse për çmimin e derivateve, në kohën kur çmimi i naftës po vazhdon të rritet si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, një pjesë e kompanive të derivateve nuk po e respektojnë vendimin e MINT-it, pasi çmimi i derivateve në pompa po shfaqet vazhdimisht më i lartë.

Vendimi parasheh mbikëqyrje të shtuar nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe koordinim të ngushtë me Autoritetin e Konkurrencës.

Rritja e çmimeve të derivateve nisi vetëm pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën një operacion ushtarak ndaj Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe vendeve të tjera aleate të SHBA-së në rajon.

Kosova mbetet e varur nga importi i derivateve të naftës, pasi nuk ka rafinerinë e saj. /Albanianpost.com

Read Previous

Spiropali mbështet protestën e studentëve në Shkup për gjuhën shqipe: E drejtë themelore, jo kompromis

Read Next

Izraeli vret një zyrtar të lartë të sigurisë iraniane, ministri izraelit: Do të vazhdojmë t’i ndjekim një nga një