Michel: Integrimi i Shqipërisë në BE, vizat e Kosovës, energjia dhe fluksi migrator janë shtylla të Samitit të Tiranës

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, ka bërë të qartë pikat ku do të ndalet në mënyrë më të gjerë Samiti mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili zhvillohet në Tiranë më 6 dhjetor.

Sipas Michel, katër gjëra janë themelore për këtë samit.

E para lidhet me integrimin e Shqipërisë dhe gjithë rajonit në bashkësinë evropiane, duke përmendur edhe faktin se mund të ketë një deklaratë të përbashkët mes Tiranës dhe Shkupit, për rrugën e përbashkët evropiane.

Pika e dytë lidhet me liberalizimin e vizave për Kosovën, mbi të cilën do të ketë sërish bisedime pas vendimmarrjes se bllokimi virtual i vizave, do të jetë i hequr më 1 janar 2024.

Këtë pikë, e ka theksuar edhe kryeministri slloven, Robert Golob, me të cilin Michel ishte në deklaratë të përbashkët.

E treta pikë, lidhet me efektin energjetik që lufta në Ukrainë ka pasur në gjithë kontinentin dhe përgjigjen që i duhet dhënë krizës.

Paketa financiare të larmishme janë lëshuar nga Bashkimi Evropian për Ballkanin sa i përket përballimit të krizës energjetike dhe një paketë tjetër është parashikuar për ndihma të mëtejshme.

Shtylla e katërt, do të jetë ajo e sapo prezantuar nga Komisioni Evropian, lidhur me përballimin e fluksit migrator nga rruga ballkanike.

Kjo gjë, përmes një plani pesë pikësh, do të bëjë të mundur uljen e fluksit sipas Michel dhe do të rrisë më tej angazhimin evropian për ndihmën reale në rajon.

Një prej pesë pikave, është edhe ajo e linjëzimit të regjimit të vizave mes vendeve të unionit dhe atyre të rajonit, duke nënkuptuar se Ballkani duhet të përafrojë kriteret me Evropën për vendet e treta, që të ketë kështu edhe një integrim më të shpejtë. /Albanianpost.com

Read Previous

FIFA hap hetimet ndaj Serbisë, nuk ka procedurë për Granit Xhakën

Read Next

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit – vlerësohet se me aktivitete të vogla po bëhen ndryshime të mëdha