Megaoperacion anti-kanabis në gjithë Shqipërinë, arrestohen 12 persona, asgjësohen 17 mijë bimë

Policia e Shtetit ka vijuar me aksionin anti-kanabis në gjithë territorin e vendit, ku brenda javës janë angazhuar 6 mijë punonjës policie dhe 75 dronë vëzhgues, duke rezultuar në dhjetëra mijëra rrënjë kanabis të asgjësuara dhe 12 persona të arrestuar.

Gjithashtu, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash (në valuta të ndryshme), një armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Për gjatë javës janë arrestuar në flagrancë 12 shtetas dhe janë proceduar penalisht 10 të tjerë.

Së fundi si rezultat i megaoperacionit, gjatë ditës së djeshme janë goditur, tre raste, konkretisht:

Në Fier, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe i kontrollit permanent të territorit, në kuadër të operacionit u arrestuan tre vëllezër, shtetasit L. K., 45 vjeç, A. K., 51 vjeç dhe A. K., 49 vjeç, dhe u proceduan penalisht babai i tyre dhe djali i njërit prej tyre, shtetasit A. K., 80 vjeç dhe U. K., 18 vjeç, pasi pas banesave kishin kultivuar në tokë, 300 bimë narkotike kanabis sativa.

Përveç asgjësimit të bimëve narkotike, Policia e Fierit sekuestroi 1 armë gjahu, 2 mijë e 300 euro dhe rreth 500 mijë lekë të rinj që këta shtetas i kishin përfituar nga shitja e drogës.

Në fshatin Zall Herr, Tiranë, në kuadër të operacionit gjatë kontrollit në territorin e një reparti ushtarak, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 125 bimë kanabis.

Në vijim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, shtetasit:

– G. M., 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë;
– R. K., 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin;
– G. Zh., 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.

Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë:

– A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture;
– P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge;
– I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier;
– P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.

Këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak.

Në Selenicë , Vlorë, Shërbimet e Policisë bazuar në inteligjencën policore dhe si rezultat I kontrollit të territorit, arrestuan në flagrancë shtetasin L. K., 29 vjec, banues në Selenicë, pasi gjatë kontrollit të territorit të banesës së tij, Policia gjeti e sekuestroi 80 kubikë të kultivuar me fidanë kanabis, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

Megaoperacioni policor antikanabis “FOKUSI” vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së. /Albanianpost.com

Read Previous

Incidenti në Prishtinë, Kica-Xhelili: Institucionet ta mendojnë urgjentisht trajtimin e posedimit të armëve

Read Next

Moti në Gjakovë – Parashikimi për 7 ditë